Kryefjalë e këtij sezoni në La Liga sërish mbeten ata, ikonat e futbollit botëror, portugezi Ronaldo dhe argjentinasi Messi. CR7 është rikthyer te performanca e tij më e mirë në fushë me Realin e Madridit, ndërsa “Pleshti” kurrë nuk ka lënë ndonjë hije dyshimi për cilësitë e tij.

Tashmë që kanë mbetur edhe 9 javë nga fundi i këtij sezoni vijon të mbetet e nxehtë gara mes tyre për titullin e kryegolashënuesit të La Ligas, ose siç njihet në Spanjë, “Pichichi”. Që nga edicioni i 2010-ës ky trofe është ndarë gjithnjë mes tyre. Sezonet 2010, 2012, 2013 dhe 2017 kanë kurorëzuar Messin, ndërsa 2011, 2014 dhe 2015 Christiano Ronaldon.Vetëm Luis Suarez ka mundur të interferojë mes tyre duke qenë golashënuesi më i mirë në Primera Division në fund të sezonit 2015-2016.Messi aktualisht kryeson me 25 gola, 3 më shumë se Ronaldo, por vetëm gjatë fazës së dytë portugezi numëron 18 gola, ndërsa Messi vetëm 8 finalizime.

“Pokeri” i golave të Ronaldos ndaj Gironas i shton portugezit kreditet për trofeun e Këpucës të Artë në Europë, ku krahas Mesit për këtë çmim individual konkurrojnë edhe emra të tjerë të mëdhenj si Salah, Kane, Cavani, Immobile, Jonas, Lewandowski dhe Icardi.Ronaldo dhe Messi janë futbollistët me më shumë Topa të Artë, 5 për secilin, ndërsa në këtë sezon të dy “yjet” e futbollit janë ende në garë me skuadrat e tyre për të fituar Champions League-n.