Teuta mbylli një sezon, ku mbijetesa u arrit një javë përpara fundit, edhe pse në fillim të kampionatit pretendohej pjesëmarrja në Europë. Bregdetarët nuk kanë pasur një sulmues goli në këtë edicion, por ama kanë sulmin e tretë më të mirë të Superiore, me 55 gola të shpërndarë në 18 lojtarë.

Problemi më i madh i Teutës në këtë edicion ka qenë reparti difensiv, pasi janë mbrojtja e dytë më e keqe, pas Lushnjës me 58 gola të pësuar. Kthehemi te sulmi, te Teuta shënojnë të gjithë, madje edhe portieri. Nga formacioni bazë, të gjithë e kanë dërguar topin në rrjetë, madje edhe lojtarët rezervë.

E nisim nga porta, Shpëtim Moçka ka shënuar një gol me bregdetarët dhe ai pati vlerën e një pike ndërsa solli kthesën e madhe (Teuta-Partizani 1-1, faza e tretë). Në mbrojtje kanë shënuar të gjithë, madje ka edhe nga ata që kanë rivalizuar me mesfushorët si Ante Hrkaç dhe Fabjan Beqja, që e kanë dërguar tre herë topin në rrjetë.Pas tyre vjen Silvestër Shkalla me dy, ndjek Esin Hakaj dhe Amir Bilali me një.

Mesfusha është edhe reparti më produktiv që ka shënuar në total 30 gola nga 8 lojtarë (4 u larguan në janar). Kapiteni Arbër Çyrbja, përveç asisteve që nuk po i llogarisim, ka shënuar 7 gola, aq sa Anel Dediç. Ndërkohë, Ardit Hila ka shënuar 9 herë duke qenë golashënuesi i skuadrës së bashku me Latif, ndërsa Xhonatan Lajthia ka mbetur te njëshi.

Nga ky repart nuk kanë shënuar vetëm Arsid Kruja, Dejvi Bilali, Reza Karimi (u largua në janar) Burhan Mustafov, Hugo De Marki dhe Lorenco Vila. Edhe pse nga sulmi pritej shumë, ky repart ka zhgënjyer sidomos Onyeka Osemene, i cili erdhi me petkun e një goleadori, por u largua me “bishtin ndër shalë” pa e gjetur rrjetën.

Amadu Latif shënoi 9 herë duke qëndruar në kryes të listës, teksa zëvendësi i tij Jurgen Peqini, që asnjëherë nuk e nisi titullar këtë sezon, shënoi 3 gola në 5 ndeshje. Nga lojtarët që u larguan në merkaton e janarit për shkak se nuk bindën stafin teknik janë shënuar në total 6 gola: Ardit Shehaj (1), Albi Dosti (1), Tarik Çmajçanin (1) dhe Nijaz Lena (3). Shpërndarja e golave dhe produktiviteti është shpresëdhënës për sezonin e ri. Por drejtuesit po planifikojnë disa afrime të rëndë- sishme, kryesisht kërkohet një bomber.