Zinedine Zidane kërkon shërbimet e Eden Hazard me kaq ngulm, sa që është i gatshëm të heqë dorë nga Gareth Bale, të cilin është i gatshëm ta shkëmbejë për të arritur lojtarin belg gjatë merkatos së verës.

Siç raportojnë mediat spanjolle, prej disa kohësh sulmuesi 27-vjeçar është përfolur për një transferim të mundshëm në ‘Santiago Bernabeu’, por mund të jetë pikërisht merkato e radhës, ajo që mund te sjellë konkretizimin e këtij operacioni, me klubin mbretëror që kërkon të përforcojë organikën e tij pas betejës së humbur me Barcelonën kryesuese këtë sezon në La Liga.

Aktualisht Los Blancos kanë një diferencë prej 15 pikësh ndaj katalanëve, ndërkohë që kanë mbetur vetëm 10 ndeshje për t’u zhvilluar deri në fund të kampionatit. Gjithsesi kjo nuk ka ndikuar në ecurinë pozitive të klubit mbretëror në Champions League me ekipin e Florentino Perez që mbetet pretendent për të mbrojtur titullin për të dytin vit radhazi në kompeticionin madhor europian.

Pozitat e teknikut francez janë dukshëm të ndikuara nga rezultati i fundit të sezonit dhe nëse qëndrimi i tij do të konfirmohet, atëherë Zidanë është i vendosur të sjellë në Madrid belgun Hazard. Ndërkohë Lojtari i Chelseat ka një kontratë të vlefshme që parashikon qëndrimin e tij tek Blutë e Londrës edhe për dy vjet e gjysmë, por vetë 27-vjeçari nuk dëshiron më të qëndrojë në Premier League, duke justifikuar spekulimet mediatike.

Hazard ka vendosur të mos rinovojë me klubin anglez, çka shton probabilitetin e rikthimit të uellsianit Bale në Angli, në kuadër të këtij shkëmbimi. Bale mbetet një ndër lojtarët më të lakmuar nga klubet europiane, me Manchester United që kryeson listën e pretendentëve për të edhe pse Chelsea parashikohet favorit në këtë garë nëse vendos të hyjë në bisedime me spanjollët për të lejuar largimin e belgut Hazard.