Google ka prezantuar kufjet e reja të quajtura Pixel Buds, të cilat janë të dizajnuara që të punojnë më së miri me smartfonët e rinj, Google Pixel 2 e 2XL.

Kufjet pa tela Pixel Buds kanë të integruar sistemin e njohjes së gishtave për të ndërruar muzikat dhe ndalur apo lëshuar zërin.

Google, madje ka integruar edhe Google Assistant i cili mund të japë udhëzime në veshët e përdoruesve, të pranojë telefonatat dhe sigurisht të lëshojë muzikën.

Më e mira e kësaj është se ajo ka të integruar edhe përkthyesin në kohë reale i cili është i aftë të përkthejë zërin në 40 gjuhë të ndryshme.

Google ka lansuar edhe një kamerë të re të vogël, të quajtur Google Clips. Kjo kamerë është e dizajnuar që të kapë momentet e duhura të përdoruesve vet, pa pasur nevojë që përdoruesit ta bëjnë atë. Google Clips është kamerë shumë e vogël e cila vetë mund të vendosë se kur të fotografojë, apo të incizojë video të shkurta.

Kufjet Pixel Buds tani mund të porositen, ndërsa Google do të fillojë dorëzimin e tyre në nëntor 2017, me një çmim fillestar prej 135 euro.

Kamera Google Clips nuk dihet se kur do të lansohet, por pritet që të dalë shumë shpejt, me një çmim prej 210 euro.