Aplikacioni i mesazheve WhatsApp, në nëntor të vitit të shkuar më në fund i dha mundësinë të gjithë përdoruesve që të fshinin mesazhe të sikletshme apo të padëshiruara nga bisedat personale apo në grup.

Për këdo që nuk e ka përdorur kurrë këtë opsion, që ofrohet në Apple iOS, Android dhe Windows, mesazhi i fshirë zëvendësohet me fjalinë “This message was deleted” (Ky mesazh u fshi).

Megjithatë, për ta bërë këtë ka një limit kohor, që do të thotë se mesazhet mund të fshihen nga një bisedë brenda 7 minutave të para që është dërguar.

Një moment që tejkalohet ky afat, përdoruesit mund ta fshijnë mesazhin vetëm nga telefoni i tyre, por jo nga telefoni i personave të tjetë, të cilët mund ta shohin ende mesazhin.

Por duket se kjo do të ndryshojë shumë shpejt. Në një përditësim të ri, raportohet se WhatsApp do ta përmirësojë këtë opsion duke e zgjatur afatin kohor.

Sipas WABetaInfo, një website që merret kryesisht me informacionet më të fundit rreth WhatsApp, një ndryshim i ri për të cilin po punohet, do të sjellë zgjatjen e kohës në dispozicion për të fshirë një mesazh të padëshiruar.

Pritet që afati kohor të rritet nga 7 minuta, në 1 orë e 8 minuta dhe 16 sekonda.

Për momentin ky ndryshim raportohet të ndodhë vetëm në versionin e fundit Android beta, versioni 2.18.69 dhe jo për përdoruesit e iPhone.