“A do ta shohë vrasësi ordiner Berisha filmin “Gërdeci”, ku del djali i tij?”

28/03/2016 - 11:55

Spartak Ngjela komenton filmin që Hollivudi i ka kushtuar tragjedisë së “Gërdecit”, që sipas tij po diskreditohet fytyra e Shqipërisë 25-vjeçare.

Në një postim në Facebook, Ngjela shkruan se ngjarja ishte një krim qeveritar dhe ish-kryeministri Sali Berisha fajtori kryesor i ngjarjes.

“A do të ketë kureshtje ta shohë filmin, veten dhe djalin e tij, në veprën e tij më të madhe vrastare kundër shqiptarëve?”, është pyetja që ngre avokati.

Statusi i Spartak Ngjelës

“Hollivudi po përjetëson Tragjedinë Gërdeci”

Hollivudi ka xhiruar një film për tragjedinë e Gërdecit ku gjithçka del e qartë: Berisha, për fitimet e djalit të tij, pasi ka ndërmarrë me iniciativë të vet si kryeministër një Vendim të Këshillit të Ministrave, vrau 27 shqiptarë të pafajshëm, fukarenj që punonin skllavërisht në një fabrikë vdekjeje, ku fitonin para maskarenjtë shqiptarë.
Kjo është në fakt fytyra e Shqipërisë 25-vjeçare, që po diskreditohet nga Hollivudi.
Shqiptarët. ... po shqiptarët çfarë do të bëjnë, mos do ta shohin filmin qetësisht e të mbajnë në shpinë vrasësit e një valleje makabër? Edhe pas këtij filmi do të sokëllijë me klithma histerike e marrëzie Saliu... vrasësi ordiner i shpresës shqiptare, Hajduti që nuk dorëzohet, dhe po dëbon shqiptarët me “forcën” e tij që tregon në një Parlament, ku drejton sërish një hajdut dhe bashkëpunëtor i tij?
Po kinematë, plot do jenë, apo do digjen nga hordhitë e Saliut? Po prokurori, gjyqtarët, hetuesit, edhe këta do ta shohin filmin qetësisht si veprën e tyre? Po Saliu, a do te ketë kureshtje për ta parë në skenë tragjedinë që vetë ka shkaktuar?
Enver Hoxha doli si i tërbuar nga salla ku luhej tragjedia e Shekspirit Mbreti Lir. Po ky vrasës ordiner, do ta shohë veten e tij...dhe djalin e tij, në veprën e tij më të madhe vrastare kundër shqiptarëve? Por, a dihet vallë sa para kanë fituar berishajt nga fabrika e vdekjes? A është e vërtetë që këta berishajt mendojnë se u vranë 27 shqiptarë që berishajt të jetojnë pa kokëçarje, se shqiptarët ua kanë borxh, sepse këta iu kanë sjellë demokracinë dhe lirinë.?
Ku i dihet se çfarë do te sjellë në Shqipëri filmi hollivudian i Tragjedisë Gërdeci.
Mbase nuk luan fare. Por, kur të luhet filmi nëpër kinematë e Tiranës, a do ketë filluar Reforma në Drejtësi? 
Po të ketë nisur, shumë nga shkaktarët e Tragjedisë Gërdeci nuk do të kenë mundësi ta shohin dot shfaqjen në film të tragjedisë. ... sepse sigurisht që do të ketë nisur tragjedia e ndëshkimit të tyre për shkaktimin e Tragjedisë Gërdeci. 
Shumë gjëra pritet të sjellë filmi i Hollivudit për Gërdecin.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: