“Dashuri me çdo Kusht”, shfaqja më e re që do të çelë sezonin artistik në Durrës

17/11/2015 - 16:03

17 nëntor 2015 –  “Dashuri me çdo Kusht” është shfaqja më e re që do të çelë sezonin artistik të teatrit Aleksandër Moisiu në Durrës. Një komedi romantike e frymëzuar nga skenari për  film i autores Adrienne Shelly, përshtatur dhe vënë në skenë nga regjisorja Andia Xhunga, me skenografi të Genc Shkodranit, nën interpretimin e aktorëve: Adelina Muca, Ervin Doko, Arjola Basho dhe Enkel Gurakuqi.

“Kemi menduar që këtë shfaqje ta trajtojmë si një punë laboratorike, ku secili prej nesh sjell mendimet, idetë dhe eksperiencat e veta mbi gjithçka që trajton kjo vepër kaq aktuale”, thotë regjisorja Andia Xhunga. 

Pas një shkëputjeje prej një viti per shkak të lindjes së djalit të saj të dytë Manuel, regjisorja dhe aktorja Andia Xhunga i rikthehet jetës artistike teatrore në teatrin e Durrësit, duke ngjitur në skenë një komedi romantike së bashku me kolegët e saj, aktoren dhe regjisoren Adelina Muca dhe aktorin Ervin Doko. 

“Dashuri me çdo kusht” është një komedi romantike e cila do të sjellë për publikun një realitet i cili është tepër i prekshëm në ditët tona.

Marrëdhënia në çift, robotizimi i njeriut i cili për shkak të mbijetesës ekonomike, egoizmit, etjes për karrierë, nevojës për t’u larguar prej të vërtetave, harron thelbin e qenies njerëzore, ndjenjën dhe dashurinë. Çdo ditë në jetët tona, në biseda të përditshme hasim histori çiftesh në krizë, të divorcuar apo në dilema divorci, tradhëti që vijnë si pasojë e rrethanave e ndjesive të ndryshme, dhe përpjekjet për të mbajtur gjallë familjen, dashurinë, dhe marrëdhënien në çift. 

Idetë e regjisores Xhunga do e sjellin këtë realitet duke e bërë publikun të ndjejë sikur ka hyrë në shtëpinë e këtij çifti dhe ndjek hap pas hapi të vërtetat e pathëna dhe ato të cilat ne i fshehim çdo ditë brenda mureve të shtëpisë. Në këtë shfaqje asgjë nuk do të jetë jashtë realitetit edhe muzika e shfaqjes nuk do të vijë nga bokset e skenës së teatrit por live, nga një kitarë apo një celular ashtu si në jetën e përditshme.

Subjekti

Një trekëndësh dashurie… Një avokate e suksesshme, kur merr vesh se burri i saj do ta lërë për një vajzë më të re, vendos ta mbajë peng deri sa ai të ndërrojë mendje…Gjatë pengmarrjes, personazhet zbulojnë të vërteta të pathëna me parë, por se si do të përfundojë dhe se cilat do të jenë situatat e krijuara gjatë kësaj dite jo të zakonshme për këtë çift, do t’ia lëmë publikut ta zbulojë.

Regjisore - Andia Xhunga

Skenografia - Genc Shkodrani

Aktorë:

Adelina Muça
Ervin Doko
Arjola Basho
Enkel Gurakuqi

Një pjesë mbi marrëdhënien në çift… Mbi dashurinë, urrejtjen… Mbi bukurinë, vështirësitë, sakrificat qe martesa kërkon…Mbi kohërat moderne…Një dialog realist në cdo imtësi…

Pjesa do të ngjitet në skenë në fund të muajit nëntor.

/K.H. portali DurresLajm/

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: