Durrësi ofron çmime shume të ulëta në krahasim me plazhet e Jugut dhe të Veriut në vend. Krahas bregdetit, natyrës, aktiviteteve përgjatë brezit të rërës, pushuesit zgjedhin Durrësin edhe për shkak të çmimeve që ofron.

Operatorët turistikë shprehen se çmimet janë nën nivelin mesatar dhe nuk kanë pasur luhatje përgjatë dhjetë viteve të fundit. Sipas tyre, në Durrës dhomat variojnë nga 10 euro nata, ndërsa në hotele dhomat variojnë 30-35 euro. Pushuesit kosovarë dhe maqedonas që frekuentojnë Durrësin shprehen se shifra që ata shpenzojnë për të kaluar pushimet me familjet e tyre është e përballueshme.

Sipas tyre, një familje shpenzon nga 500 deri në 1000 euro për pushime, në bazë të ditëve që qëndron në plazh, shifër e papërfillshme krahasuar me plazhet e Jugut, ku vetëm shezlongu kushton sa kushton një dhomë hoteli në Durrës.

Vija bregdetare e Durrësit prej 42 kilometrash pret e përcjell  një numër të lartë pushuesish nga Kosova dhe Maqedonia, ndërsa duket sikur është braktisur disi nga pushuesit vendas. Por, ditët e fundit është vërejtur një fluks gjithnjë e në rritje krahasuar me qershorin dhe korrikun.

K.H.