Tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi dëme të konsiderueshme në 11 bashki të qendrës së vendit, por në Durrës janë edhe dëmet më të mëdha. Mbi 3 863 persona kanë aplikuar për bonus qiraje, ndërsa qindra mijëra familje janë zhvendosur nga shtëpitë, për shkak se faza e parë e kontrollit i ka cilësuar të pabanueshme. Për shkak edhe të tranzicionit që po kalon bashkia nga mungesa e një kryetari pas dorëheqjes së Valbona Sakos, qyteti duket se është njësoj si në ditën e parë të emergjencës sa u takon përfitimeve. Teksa në Tiranë bonusi i qirasë është shpërndarë për familjet që kanë aplikuar, në Durrës dhe bashkitë e tjera ende nuk janë shpërndarë. Ndërsa bizneset në vend që të ndihmohen, po faturohen me gjoba për detyrimet tatimore të vonuara.

Kryetari i Dhomës së Durrësit, Alban Isteri, tha se situata është e rëndë si në popullatë, ashtu edhe në biznese. Sipërmarrjet e tregtisë dhe shërbimeve nuk po punojnë as me 30 për qind të kapacitetit, pasi Durrësi po hyn në muajin e tretë që konsumi ka rënë në mënyrë drastike. Rënia e konsumit do të çojë qindra biznese në kolaps e faliment, lajmëroi ai. Nga ana tjetër, qeveria nuk ka mbajtur asnjë nga premtimet që dha ditët e para pas ngjarjes së 26 nëntorit për pezullim të taksave dhe tatimeve dhe përjashtim nga gjobat për detyrimet e vonuara së paku për periudhën e emergjencës.

Përfaqësues të qeverisë u kërkuan bizneseve të Durrësit të jepnin pagat për punonjësit edhe pse puna ishte pezulluar, duke premtuar se do të kishte kompensime dhe lehtësime nga gjobat. Por asnjë nga këto premtime nuk u mbajtën, pohon Isteri. Qindra biznese kanë dhënë pagat për punonjës që nuk janë paraqitur në punë së paku për dy javë.

Por të gjithë këto janë kosto për bizneset, të cilat, në vend që të ndihmohen, kanë marrë gjoba si në një situatë normale. Isteri mirëkupton vështirësitë që qeveria ka për plotësimin e planit të të ardhurave, por duke ngarkuar biznesin me gjoba vetëm sa do të përkeqësojë më tej situatën. Këto biznese do të falimentojnë dhe pastaj as nuk do të punësojnë edhe aq më tepër të paguajnë taksa. Qeveria duhet të tregohet e guximshme, tha ai duke kërkuar së paku të respektohen detyrimet që ka shteti ndaj bizneseve për TVSH-në e parimbursuar. Në të gjithë këtë situatë, më korrekte janë treguar bankat, të cilat kanë ristrukturuar kreditë për bizneset e Durrësit sipas rastit dhe dëmit të krijuar.

Isteri shpjegoi se, mungesa e një kryetari bashkie ka krijuar vakum në organizimin e punës, pasi administrata aktuale e bashkisë po heziton për të firmosur lejet që kompanitë e ndërtimit kanë marrë për të zhvilluar rikosntruksione, ndërtime objektesh biznesi, kapanone etj.

Vetëm në 2018-n, numri i lejeve të reja të ndërtimit për banesa ishte 770, apo 47% më shumë se një vit më parë, ndërsa për sa i përket sipërfaqes së ndërtimeve për banesa, ajo u rrit me 70% në raport me një vit më parë.

132 leje ndërtimi janë dhënë për ndërtesa me tre ose më shumë kate, të cilat kanë një sipërfaqe prej 725 mijë metra katrorë, mesatarisht 5 500 metra katrorë për secilën godinë të marrë leje për ndërtim. Ndërsa 10 leje janë dhënë për rezidenca për komunitetin, 290 leje janë dhënë për banesa me një kat dhe 338 janë leje për ndërtesa me dy kate.

Qarku i Durrësit është qarku i tretë më i madh në vend, ku jeton 10,1% e popullsisë së përgjithshme të Shqipërisë për vitin 2018. Kjo popullsi shtrihet në 3 nga 61 bashkitë e vendit. Durrësi, sikurse dhe Tirana, është qarku i vetëm që ka përjetuar një rritje të popullsisë nga migrimi i brendshëm neto, me gjithsej 816 persona.

Numri i nxënësve që ndiqnin arsimin 9-vjeçar dhe të mesëm përfaqëson 10,7 % të numrit të përgjithshëm të nxënësve në Shqipëri.

Durrësi arriti 9,9 % të PBB-së në Shqipëri për vitin 2017, duke kontribuar 0,40 % në terma realë për atë vit, kurse PBB për frymë prej 536 mijë lekë [për Qarkun Durrës] ishte më e ulët se mesatarja në nivel vendi. Numri i ndërmarrjeve në këtë qark ishte 12.921.

Burimi: Monitor