Është porti më i madh në vend dhe një nga qytetet më të rëndësishme të vendit, por Durrësi ka mbetur prapa në kontributin e dhënë për rritjen ekonomike në shkallë vendi.

Instituti i Statistikave ka publikuar sot raportin “Prodhimi i Brendshëm Bruto sipas Rajoneve Statistikore në Shqipëri, 2018” ku ka renditur qarqet me performancën më të mirë dhe atë më të dobët.

Për fat të keq, Durrësi mbetet prapa dhe në krahasim me vitin 2017 ka regjistruar performancë më të ulët në vitin 2018.

DurrësLajm duke iu referuar të dhënave të INSTAT nënvizon se qarku i Durrësit nga 0.61 pikë përqindje  që regjistroi në vitin 2017, ra në 0.25 pikë përqindje në vitin 2018.

 

E ndërsa Durrësi për faktorë të ndryshëm regjistroi këto hapa pas, një tjetër qark bregdetar, ai i Vlorës regjistroi rritjen reale më të lartë, e pasuar nga qarku Fier dhe nga qarku Tiranë.

Ndërkohë, Tirana mbetet qarku me kontributin më të madh në rritjen ekonomike për vitin 2018 me +2.18 pikë përqindje.

Qarku Tiranë pasohet nga qqarku Fier me +0,58 pikë përqindje dhe qarku Vlorë me +0,31 pikë përqindje. Durrësi ka regjistruar vetëm +0.25 pikë përqindje duke qenë në kuota të barabarta me qarkun e Elbasanit.

Kontributin më të ulët në rritjen ekonomike e ka dhënë Qarku Berat me -0,05 pikë përqindje, i pasuar nga Qarku Lezhë me një kontribut prej -0,01 pikë përqindje dhe Qarku Gjirokastër me një kontribut prej +0,03 pikë përqindje.

Raporti i INSTAT:

Në vitin 2018, sipas rajoneve statistikore në nivel 1 (Republika e Shqipërisë), PBB me çmime korente u vlerësua 1.635.715 milionë Lekë, duke shënuar një rritje në terma realë prej rreth 4,07 %, krahasuar me vitin 2017.

Në vitin 2018, sipas rajoneve statistikore në nivel 1 (Republika e Shqipërisë), PBB me çmime korente u vlerësua 1.635.715 milionë Lekë, duke shënuar një rritje në terma realë prej rreth 4,07 %, krahasuar me vitin 2017. Kontributin më të madh në rritjen ekonomike për vitin 2018, e ka dhënë Qarku Tiranë me +2,18 pikë përqindje, pasuar nga Qarku Fier me +0,58 pikë përqindje dhe Qarku Vlorë me +0,31 pikë përqindje. Kontributin më të ulët në rritjen ekonomike e ka dhënë Qarku Berat me -0,05 pikë përqindje, i pasuar nga Qarku Lezhë me një kontribut prej -0,01 pikë përqindje dhe Qarku Gjirokastër me një kontribut prej +0,03 pikë përqindje.

Në vitin 2018, sipas rajoneve statistikore në nivel 2, PBB me çmime korente në rajonin Veri ishte 377,2 miliardë Lekë ose 23,1 % ndaj totalit të vendit. Krahasuar me vitin 2017 në rajonin Veri, PBB në terma reale shënoi një rritje me 2,7 %. PBB me çmime korente në rajonin Qendër, ishte 806,9 miliardë Lekë ose 49,3 % ndaj totalit të PBB-së. Krahasuar me vitin 2017, për rajonin Qendër, PBB në terma reale shënoi një rritje prej 5,0 %. PBB me çmime korente në rajonin Jug ishte 451,5 miliardë Lekë ose 27,6 % ndaj totalit të vendit. Krahasuar me vitin 2017 në rajonin Jug, PBB në terma reale shënoi një rritje me 3,6 %. Sipas rajoneve statistikore në nivel 3 (Qark), rritjen reale më të lartë e shënoi Qarku Vlorë me një rritje në terma realë prej 5,5 %, i ndjekur nga Qarku Fier me një rritje reale prej 5,4 % dhe Qarku Tiranë me një rritje në terma realë prej 5,2 % të PBB-së për vitin 2018, krahasuar me vitin 2017. Rritja ekonomike u ngadalësua në Qarkun Berat, duke shënuar një rënie në terma reale prej 1,3 % dhe Qarku Lezhë me një rënie në terma reale prej 0,2 % të PBB-së për vitin 2018, krahasuar me vitin 2017.

PBB për frymë sipas niveleve statistikore

Në vitin 2018, niveli i PBB-së për frymë në rajonin statistikor nivel 1 (Republika e Shqipërisë), arriti në 571 mijë Lekë. Krahasuar me vitin 2017 PBB për frymë në terma nominale u rrit me 5,75 %.

Në vitin 2018, sipas rajoneve statistikore në nivel 2, në rajonin statistikor Veri, PBB për frymë është 462 mijë Lekë, duke shënuar një rritje nominale me 4,7 %, krahasuar me vitin 2017. PBB për frymë e këtij rajoni është 19,1 % nën mesataren e vendit. Në rajonin statistikor Qendër, PBB për frymë është 692 mijë Lekë dhe pati një rritje me 5,6 %, krahasuar me vitin 2017. PBB për frymë e këtij rajoni rezultoi 21,2 % mbi mesataren e vendit. Në rajonin statistikor Jug, PBB për frymë është 511 mijë Lekë, duke shënuar një rritje me 6,3 %, krahasuar me vitin 2017. PBB për frymë e këtij rajoni është 10,4 % nën mesataren e vendit. Niveli më i lartë i PBB-së për frymë sipas rajoneve statistikore në nivel 3 (Qark), në vitin 2018, ishte në Qarkun Tiranë, me 783 mijë Lekë dhe shënoi një rritje në terma nominale prej 5,1 % krahasuar me vitin 2017. PBB për frymë e këtij qarku ishte 37,3 % mbi mesataren e vendit. Më pas renditet Qarku Fier, me 599 mijë Lekë, duke shënuar një rritje në terma nominale prej 8,4 % ndaj vitit 2017. PBB për frymë e këtij qarku ishte 5,0 % mbi mesataren e vendit. Niveli më i ulët i PBB-së për frymë sipas rajoneve statistikore në nivel 3 (Qark) në vitin 2018, u vlerësua në Qarkun Kukës me rreth 362 mijë Lekë duke shënuar një rritje në terma nominale me 7,3 %, krahasuar me vitin 2017. PBB për frymë e këtij qarku ishte 36,6 % nën mesataren e vendit. Më tej, me PBB-në për frymë më të ulët vijon Qarku Elbasan me rreth 398 mijë Lekë duke shënuar një rritje me në terma nominale 5,9 % ndaj vitit 2017. PBB për frymë e këtij qarku ishte 30,3 % nën mesataren e vendit.

Standardi i Fuqisë Blerëse

PBB e Republikës së Shqipërisë e shprehur në Standardin e Fuqisë Blerëse (Purchasing Power Standard – PPS) në vitin 2018 është 27.581 PPS. PBB për frymë në PPS për vitin 2018 për Republikën e Shqipërisë është 31,1 % e mesatares së Bashkimit Evropian BE28 = 100 (shih shënime metodologjike). Sipas rajoneve statistikore në nivel 2, në rajonin Qendër, PBB për frymë në PPS për vitin 2018 ishte 37,7 %, në rajonin Veri 25,1 % dhe në rajonin Jug 27,8 %.