Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj foli mbrëmjen e sotme për aksionin e Policisë së Shtetit që u finalizua dje me sekuestrimin e 613 kg kokainë. Teksa ishte i ftuar në emisionin ‘Real Story’, në Vizion Plus të Sokol Ballës, Xhafaj tregoi se kur nisi aksioni.

INTERVISTA

Sokol Balla: Z. Ministër nëse mund të na jepni detaje më shumë nga ky hetim. Si nisi ky hetim nga ku nisi dhe nga kush nisi?

Ministri Xhafaj: Duhet të nënvizoj faktin që ka patur një komunikatë zyrtare të Policisë, e cila e ka sqaruar gjithë rrethanat e momentit të evidentimit, të identifikimit të mallit dhe identifikimit të autorëve.

Kompania në fjalë për të cilën ka filluar një çështje penale ka pasur disa kontenierë, të cilët kishin ardhur në Durrës që në datën 19. Kompania ka qenë kompani nën risk.

Autoritetet doganore dhe autoritetet e kufirit kanë një listë kompanish të cilat paraqesin një shkallë rrezikshmërie të caktuar ose ka dyshime mbi veprimtarinë e tyre, por njëkohësisht kanë dhe një sistem inteligjence, i cili analizon krahas këtij informacioni që jep Policia apo që kanë për efekt fiskal vetë autoritetet doganore, merr parasysh edhe llojin e mallit, merr parasysh edhe vendin e origjinës së mallit apo praktika të tjera të mëparshme në kompanitë konkrete.

Sokol Balla: Është një lloj algoritmi…

Ministri Xhafaj: Është një analizë risku, mund ta quajmë, e cila merr parasysh disa faktorë.

Kjo analizë risku inteligjence, i çon organet e hetimit doganor dhe policinë për të bërë një kontroll plus, specifik ndryshe nga ngarkesat e kompanive të tjera. Në rastin konkret kishte një dyshim të ngritur mbi këtë kompani. Ishte në listën e mallrave që do të zhdoganoheshin dhe natyrisht kontrollorët e të dy subjekteve ishin të vëmendshëm, po ndiqnin me kujdes radhën e vlerësimit të kontenierëve përkatës.

Janë katër kontenierë në mos gaboj, dhe nga një kontroll paraprak që u bë, ka pasur dy kontrolle. Një kontroll që bëhet me qenin antidrogë, i cili ka konstatuar dhe ka dhënë shenjat e para, që këtu ka dyshime për sasi droge.

Padyshim këtu nuk mund të bëhej fjalë sa mund të ishte kjo sasi. Pastaj është kërkuar të kalojë në skaner. Është bërë një rivlerësim i dytë, është krijuar bindje e plotë që brenda kontenirit ka sasi droge, pa ditur shkallën e nevojshme, sasinë, kjo gjë nuk mund të përcaktohej.

Çështja është shtruar për diskutim. Është njoftuar Prokuroria e Krimeve të Rënda. Është caktuar prokurori i Krimeve të Rënda, i cili do të hetonte çështjen dhe kanë rënë dakord që të aplikonin dorëzimin e kontrolluar të mallit, pra për të lejuar…

Sokol Balla: Kontroll fizik pra..

Ministri Xhafaj: Jo, për të lejuar lëvizjen e kontenierit, për të kuptuar se ku do të shkonte kontenieri.

Natyrisht në ambientet e Portit shqiptar është pak e vështirë, sepse sipërfaqja është e vogël, numri i njerëzve që janë aty është i madh, subjektet që përfshihen, është një numër i konsiderushëm, por për shkak të masave që u morën dhe për fat të mirë nuk rrodhi informacioni.

Së pari, nuk rrodhi në kohë gjatë shtatë-tetë ditëve që kishte një vëzhgim nga vetë Hetimi Doganor, nga Policia Kufitare dhe pastaj nga të gjitha forcat e Policisë që u angazhuan në territorin…

Sokol Balla: Po thua që ky është një aksion që ka nisur dhjetë ditë më parë?

Ministri Xhafaj: Indiciet janë që në momentin që është paraqitur. Shqyrtimi i kujdesshëm është bërë një apo dy ditë përpara nuk jam i saktë. Tani do të rezultojë dhe nga hetimi që do të bëhet nga agjentët doganorë dhe nga Policia Kufitare, përmes oficerit të policisë me qenin antidrogë. Pastaj gjithë procesi që bëhet, që kalohet në vijën e dytë, kontrolli i imtësishëm dhe gjithë ky operacion është mbajtur, ka pasur një diskrecion të plotë midis gjithë këtyre forcave në mënyrë që të kishim mundësi për ta ndjekur. Kjo tregon, në vlerësimin tim është një shkallë pjekurie e strukturave tona.

Sokol Balla: Krahasuar me të shkuarën.

Ministri Xhafaj: Absolutisht po.

Sokol Balla: Gjithmonë kishte rrjedhje informacioni.

Ministri Xhafaj: Sepse kanë arritur ta mbajnë këtë informacion. Për mua ishte në kufijtë e së pamundurës.