Intervistoi Mila Ballhysa

Projekti i qeverisë shqiptare për kthimin e portit të Durrësit në port turistik është shoqëruar ditët e fundit me reagime të shumta nga ekspertë të detarisë dhe infrastrukturës portuale. Një ndër ata ishte dhe ish-drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme Detare, Gazmir Tahiri. 

Në një intervistë për DurrësLajm, Tahiri shprehet se ka mbetur i habitur nga projekti i fundit, që sipas tij “ndërton port mbi port”. Për shumë kohë pjesë e administratës portuale, Tahiri pranon problematikat që ka aktualisht porti më i madh në vend, por kjo sipas tij nuk i jep të drejtë qeverisë “të këpusë degën mbi të cilën jemi ulur tashmë me dekada. Projektimi, financimi dhe integrimi logjistik i një porti të madh është çështje që do të marrë vite”.

Për ish-drejtorin e DPD-së, prezantimi i bërë në medie dhe për të cilin ka shumë pak detaje, është një projekt bombastik për të mbuluar dështimet dhe për të hequr vëmendjen nga keqadministrimi i aseteve portuale.

Duke u ndalur në rëndësinë që ka përzgjedhja e një kompanie me eksperiencë në ndërtimin e infrastrukturës portuale dhe menaxhimin e porteve, hartimi i një projekti serioz pasi të jenë bërë më parë studimi sizmik, ai i fizibilitetit etj, Tahiri thotë se Emmar është e specializuar për ndërtimin e kullave dhe qendrave tregtare.

Ekonomia e qytetit të Durrësit ka qenë gjithnjë pazgjidhshmërisht e lidhur me portin dhe për këtë arsye përpara ndërrmarrjes së projekteve të tilla nevojitet një konsultim i gjerë me ekspertët e fushës, me të gjithë aktorët e përfshirë në këtë proces.    

“Nuk di të projektohen porte gjatë 3 ditëve udhëtim në Dubai.” – thotë Tahiri, duke iu referuar udhëtimit të kryeministrit Rama në Emiratet e Bashkuara Arabe ditën kur në vend mbushej plot një vit nga tërmeti i 26 nëntorit.

Duke risjellë në vëmendje një koncesion të pastudiuar që për dekada bllokoi zbatimin e masterplanit të portit, ish-drejtori i DPD-së u bën apel profesionistëve të fushës t’i thonë jo këtij projekti.

“Portet janë aortat e një shteti dhe çdo ngushtim i këtyre enëve të gjakut është krim. Durrsakët e mbajnë mend mirë sesi 3 depo nafte të ndërtuara pa përgjegjshmëri në hyrje të portit bllokuan për dekada Masterplanin e Portit të Durrësit. Ndaj ftoj çdo profesionist që i dhemb sadopak Porti i Durrësit të përbuzë me neveri këtë projekt farsë, që nuk ka asnjë qëllim të mirë, përveçse propagandë banale elektorale”– thotë Tahiri.

Në të njëjtën kohë, ai u bën apel deputetëve të Durrësit dhe elitës politike që ta ndalin këtë “çmenduri”, siç e konsideron ai kthimin e portit në port turistik.

Në një status tuajin ju e quani gënjeshtër e radhës dhe propagandë projektin për shndërrimin e portit të Durrësit në port turistik. Pse e konsideroni kështu projektin që sipas ministres Balluku kap vlerën 2 miliardë euro?

Është bërë traditë që nuk mund të them se është e re, por që me qeverisjen e fundit është shumëfishuar dhe ngritur në perfeksion që sa herë duhet të mbulojmë një dështim afatgjatë apo duhet të devijojmë vëmendjen nga keqadministrimi dalim përherë me projekte bombastike. Dhe këto plasin përherë përpara ndonjë fushate elektorale. Ky nuk është projekti i parë në sektorin tone. Nëse do i referohemi të shkuarës mund të kujtojmë portin më të madh të kontejnerëve në Mesdhe (Vlorë), portin më të madh të Europës nga kinezët në Shëngjin, pra idera XL përherë, por që kanë përfunduar vetëm në një grusht letrash formati nëpër disa sirtare ministrish.

Por risia në këtë rast, që ia kalon çdo precedenti, është se këtë herë kemi vendosur të ndërtojmë Port mbi Port.

Shumë pak kam mundur të shoh konceptin në 3D dhe më është krijuar ideja që pjesa më tërheqëse e projektit duket sa euro metri katrorë do të shiten ndërtesat buzë detit, sepse për koncept porti unë nuk shoh shumë jetë portuale në atë projekt.

EMMAR është një firmë prestigjoze ndërtimi kullash dhe qendrash komerciale, ndërkohë që për një projekt të mirëfilltë portesh studimi, nisur nga ai sizmik, i erërave dhe fizibiliteti, kërkon një punë gati 1-vjeçare për të ardhur në një projekt portual, qoftë edhe turizmi. Nuk di të projektohen porte gjatë 3 ditëve udhëtim në Dubai. Prandaj unë e konsideroj çmendurinë e radhës të një tranzicioni lodhës që me bojërat dhe grafikët 3D të Rilindjes bëhet edhe më tallës në një kohë që jahtet janë gjëja e fundit që duhet të mendojë qeveria.

Porti i Durrësit është një nga asetet ekonomike më të rëndësishme të qytetit. Deri tani ai është menaxhuar nga shteti përmes Autoritetit Portual. Nëse brenda pak viteve disa prej shërbimeve më fitimprurëse të tij administrohen nga privati çfarë nënkupton kjo dhe me çfarë impakti ekonomik shoqërohet?

Porti i Durrësit pati fatin e madh të ishte në qendër të vëmendjes së Bankës Botërore për vetë rëndësinë që kishte si pikë fundore e Korridorit 8. Një masterplan prej afro 270 milionë euro u hartua dhe u implementua në një masë serioze të tij, të themi mbi 60 përqind. Por pikërisht kur ky port filloi të bëhej një shqetësim serioz për portet rivale në rajon, çuditërisht dalin tek ne përherë projekte çudibërëse (si ky i fundit) dhe aventurierë vendimmarrës që me një papërgjegjshmëri olimpike ndërmarrin iniciativa apo platforma që i shërbejnë kujtdo, por vetëm Durrësit dhe ekonomisë së portit nuk i vlejnë. Ndarja e portit në 4 terminale, koncensionet rrufe që u bënë brenda 3 muajve për 3 terminale ishin goditja e parë ekonomike që iu dha Portit të Durrësit. Të tre këto kontrata nuk kanë njohur kurrë qetësi në mbarëvajtje për 9 vite tashmë, ose drejtuesit e portit bllokojnë, ose operatori proteston, ose ballafaqohen nëpër gjyqe, ose përzihen operatorët… Pasoja këto dhjetëra miliona euro, që ky port nëse do i kishte administruar me përgjegjshmëri do të kishte sot të paktën 70 milionë euro asete më shumë apo investime (pa llogaritur dëmet e mundshme të arbitrazhit të Kurumit që është në proces). Porti i Durrësit është një aset aq i çmuar që një qeverisje dhe një administrim i mirë do ia korrte për bukuri frytet dhe do e zhvillonte 3 fish nga çfarë është sot.

Prej vitesh ju keni qenë Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme Detare. Me numrin e krocerave, jahteve dhe anijeve të tjera turistike që frekuentonin portin deri në vitin 2019, a përkthehet ky investim prej rreth 2 miliardë euro në shndërrimin e Durrësit në një pikë të rëndësishme të turizmit rajonal?

Së pari procesi i kroçerave është një mision i pamundur brenda këtij projekti. Kroçerat e kapaciteteve të mëdha si në portin e Sarandës kur mbërrijnë ashtu dhe në Durrës do të jenë të detyruara të zbarkojnë turistët nga rada (me skafet e tyre), pasi gjatësia e anijeve 360 metra nuk mundëson manovrim në një port me 270 metër diametër të lejuar baseni.

Ndërsa për jahte, të këmbesh 365 ditë aktiviteti normal të një porti me mallra, pasagjerë dhe kontejnerë me 70 ditë në vit sezon pushimi jahtesh nuk di cili hesap dhe qitap e nxe. Prandaj papjekuria e këtij projekti është revoltuese.

Prej vitesh qeveria Rama pati folur disa herë për ndërtimin e portit turistik në Karpen. Sot e kësaj dite ky port mbetet ende projekt në sirtar. A mund të jetë projekti për portin turistik të Durrësit, për të cilin dihen shumë pak detaje, një justifikim për ndërtimin e disa kullave pranë shëtitores “Taulantia”?

Jo vetëm projektit të Karpenit, por edhe një projekti të mëparshëm paralel me shëtitoren e Vollgës, i cili do të akomodonte nga 170 në 290 mjete luksi, ende nuk u është tharë boja ne letra. Pra vende për porte jahtesh ka plot, por synimi i kullave apo i zaptimit të tokës pranë detit dhe porteve është qëllimi i paskrupullt i projekt-ideve të tilla. Si specialist në këtë fushë më duhet të ritheksoj që një gozhdë e ngulur gabim në planin strategjik apo logjistik të një shteti paguhet me miliona dëme në të ardhmen jo tonën, por të brezave më pas. Nëse do të shikoni portin e Sarandës, ndërtesa të betonuara i kanë hipur portit në kurriz. Në Vlorë, një ndërtesë ndahej nga muri i portit, gjysëm brenda portit e gjysma jashtë. Çmendurira të tilla ndodhin vetëm tek ndonjë vend afrikan akoma. Portet janë aortat e një shteti dhe çdo ngushtim i këtyre enëve të gjakut është krim. Durrsakët e mbajnë mend mirë sesi 3 depo nafte të ndërtuara pa përgjegjshmëri në hyrje të portit bllokuan për dekada Masterplanin e Portit të Durrësit. Ndaj ftoj çdo profesionist që i dhemb sadopak Porti i Durrësit të përbuzë me neveri këtë projekt farsë, që nuk ka asnjë qëllim të mirë, përveçse propagandë banale elektorale.

Porti i Durrësit është më i madhi në vend dhe një nyje e rëndësishme edhe për transportet e Republikës së Kosovës. Zhvendosja e tij në Porto Romano dhe dhënia me koncesion a mund të rrezikojë ta shndërrojë atë në një port jo konkurues në krahasim me homologët e rajonit?

Durrësi ka nevojë për një port të thellësisë maksimale dhe të operacioneve masive të mallrave dhe kontejnerëve, të cilën porti ekzistues nuk e përmbush, por kjo nuk do të thotë në asnjë mënyrë të këpusim degën mbi të cilën jemi ulur tashmë me dekada. Projektimi, financimi dhe integrimi logjistik i një porti të madh është çështje që do të marrë vite. Kjo kohë duhet të na shërbejë në menaxhimin siç duhet të këtij sistemi që kemi, në profilizimin e portit tonë bazuar në linjat e të ardhmes me anije RO-RO për të stimuluar fluksin e kamionëve me destinacione të reja si dhe ruajtjen e pastërtisë së operimit duke kontejnizuar sa më shumë mallra apo duke ngritur silose pa ndotje për shkak të afërsisë që ka porti me qytetin.

Vetëm me pastërtinë që ofron, porti mund të shumëfishojë numrin e mjeteve të kënaqësisë dhe linjave turistike që vijnë në sezonin veror.

Në rastet kur bëhet fjalë për projekte miliona apo miliarda euro, qeveria ka treguar në të kaluarën mungesë transparence. Me aq sa është zbuluar deri më tani nga projekti i arabëve mendoni se është punuar gjatë për të hartuar një studim gjithëpërfshirës përsa i përket fizibilitetit, konkurueshmërisë, impaktit në ekonomi etj?

Termi transparencë është luks tashmë në këtë regjim. Por unë jam ende optimist që mendje të ftohta të këtij vendi do të mund të stopojnë këtë aventurë që do t’i hiqte Durrësit edhe shansin e vetëm të mbijetesës së më shumë se 50 mijë familjeve durrsake. Nga kryeministri nuk kam ndonjë pritshmëri, pasi nuk hyn tek njerëzit e arsyeshëm të këtij vendi. Kur ai prishi Teatrin duke qenë artist, për portin s’besoj se do të ketë ndonjë ndjeshmëri… Por personalitetet politike të Durrësit që janë krenuar dhe kanë kaluar kokëlartë tek ai port, duhet t’i flasin ndërgjegjes së tyre sot, sa nuk është vonë. Durrsakët nuk duhet t’ia bëjnë durrsakëve këtë dëm, as duhet t’iu shkojë në mendje!

I bëj thirrje publike të gjithë deputetëve të Durrësit dhe elitës politike: Stop me këtë çmenduri!