Në 7 janar të vitit 2014, i gjithë Durrësi e mbarë opinion publik u shokua, ndërsa një grua me lot në sy e në panik deklaroi se bashkëshorti i saj dhe djali 17-vjeçar, respektivisht Gjergj e Pjetër Arapi, tentuan ta vrisnin me ujë të nxehtë, ndërsa si dënim i prenë flokët duke e dhunuar fizikisht e moralisht 39-vjeçaren.

Gruaja e dhunuar ishte Vojsava Arapi, nëna e dy djemve, që jetonte në mes të zonës së ish-Kënetës, në një banesë me qira, ndërsa punonte në një rrobaqepësi.

Pas denoncimit në polici, bashkëshorti i saj përfundoi në burg; po ashtu në burgun e të miturve përfundoi edhe djali i madh adoleshent, që ngriti dorë kundër së ëmës.

Pas një kohe të shkurtër, djali doli nga burgu pas faljes që i kërkoi nënës së tij për prerjen e flokëve, ndërsa  deputetet gra të Kuvendit, por edhe shoqatat e grave e pushteti lokal i premtuan shumë nënës së dy fëmijëve, e cila kishte ardhur nga fshati Sarr i Mirditës në zonën e ish-Kënetës.

Por ku ka përfunduar gruaja, e cila ishte në vështirësi të madhe ekonomike dhe vetëm me pagën e saj si rrobaqepëse mbante frymët e tre njerëzve dhe paguante shtëpinë me qera.

Vojsava është prej të paktëve emigrantë shqiptarë që kanë përfituar azil në Gjermani.

Së bashku me dy djemtë, Vojsava Arapi ju drejtua shtetit gjerman duke kërkuar azil dhe tashmë jeton atje si azilante.

Lajmi është bërë i ditur nga avokati i saj në Durrës, Aleksandër Ndrejaj.

Pas arrestimit dhe dënimit të bashkëshortit, Vojsava vijoi të punojë në rrobaqepësi dhe u divorcua prej Gjergjit.

 

Intervista që shokoi opinion publik 3 vite më parë:

“Ata donin të më thernin, unë rrija si pulë e heshtur e me gjak të ngrirë, midis shalëve të tyre. Vetëm Zoti, se unë jam besimtare, u ka mbajtur dorën. Ta therim thoshte djali, ta therim thoshte edhe burri. Djali i vogël 11-vjeçar u përgjërohej. Unë qaja, as zë nuk nxirrja, sepse edhe zëri im i shqetësonte. Tani kam frikë. Po dolën nga burgu, e di që do të më vrasin”. Kështu e ka nisur rrëfimin e saj Vojsava Arapi, 39-vjeçarja e cila i shpëtoi dhunës së djalit Pjetrit dhe bashkëshortit Gergjit, vetëm me rrahje dhe prerjen e flokëve.

Vojsava djali dhe burri ju kanë akuzuar se keni ardhur me vonesë në shtëpi. Për këtë vonesë ju prenë flokët. Si është e vërteta?

E vërteta është që unë në shtëpi kam ardhur shpejt. Sapo ka mbaruar mesha. Të dielën dola për punë si çdo ditë në 6 e 30 të mëngjesit. 30 minuta është rruga. Meqënëse punë kishim deri në orën 10, pronarja më dha leje të ikja në orën 9 se shkoj çdo të dielë në meshë. Ka mbaruar mesha në orën 11 e 15, dhe në 11 e 45 isha në shtëpi. Po bëja punët, derisa erdhi burri nga ora 13.00. Atë ditë e kishte marrë një familje këtu në ish-Kënetë për të hapur gropa për të vënë shtylla betoni për rrushin. Nga ora 1 e 30 më mori dhe mua. Punuam të dy, hapëm gropa.

Kur nisi sherri?

Kur mbërritëm në shtëpi, ai nisi sherrin. Më thoshte që pse kisha ikur më shpejt nga puna. Me kë burrë kisha qënë. Unë i thashë hajde verifikoje tek pronarja dhe në punë, ku kam qënë e me kë kam qënë. Ai më shante pa mbarimisht, më qëlloi me një shuplakë.  Pak më vonë erdhi edhe djali. U bënë të dy. Fillimisht djali më kërkonte llogari më thoshte më trego me kë burrë ishe.  Më qëlloi me një ristelë në kokë.

Po më pas?

Burri mori thikën që të më therte. Të dy thoshin ta vrasim, ta therrim. Djali i vogël qante e u lutej që të mos më vrisnin. Djali më qëlloi e burri më qëlloi. Më pas u shkrepi ideja të më prisnin flokët. Djali i vogël u lutej mos e vrisni mamin e qante me të madhe.

Çfarë bëre ti?

Asnjë gjë, nuk nxirrja dot as zë të qaja. Qante vetëm i vogli. Ata ishin dy, unë një. Isha e tmerruar, e lebetitur. U thashë po pse më vrisni? Unë po ju ushqej e po ju mbaj e ju më vrisni?

Si ndodhi që ti prenë flokët?

Ndërsa djali më qëllonte me ristelë, u shkrepi ideja të më prisnin flokët. Po kërkonin gërshërë. Ne nuk kemi gërshërë në shtëpi. Mori djali thikën e bukës e po mi priste nga mbrapa flokët. Më pas erdhi burri dhe tha të marr makinën e rrojes t’ia pres, se kjo na ka turpëruar. Me një brisk më prenë flokët. I kisha të gjata deri në mes. I hapën flokët në të gjithë shtëpinë. Unë nuk bëja zë.

Si shpëtove prej tyre?

Pasi më prenë flokët, dolën jashtë nja pesë minuta. Unë kisha frikë të dilja. Hynë dhe më thanë që të mblidhja flokët në një qese e t’i nxirrja jashtë.  Ata u ulën këtu në dhomë. Unë i mblodha në një qese dhe sapo dola jashtë mora rrugën me vrap për në polici. Kisha shumë frikë se po të më kapnin e dija që do më vrisnin. Unë duke shkuar për në polici, një furgon po vinte në lagje. Djali i vogël 11-vjeçar, i tmerruar kishte shkuar para meje e kishte lajmëruar policinë, që po vinin në shtëpi.  Ata kur e kuptuan që unë kisha ikur, nga inati kishin thyer televizorin. E kishin përplasur në banesë dhe e kishin bërë cope-copë.

A ju kishin dhunuar më parë?

Po shumë herë. Edhe burri, edhe djali kanë ngritur dorë ndaj meje. U kisha thënë se do t’i denoncoja në polici. Jam kaq shumë e prekur që nuk ma dinin që si nënë nuk duhet të më dhunonin. Punoja për ta, i ushqeja, i gatuaja, i mbaja dhe donin të më vrisinin. Madje më akuzonin edhe pa të drejtë të dy. Burri shumë xheloz për mua.

Pse i shfaqte shenjat e xhelozisë?

Më thoshte ikën me natë dhe nuk e di ku shkon.

Unë ikja në 6 e 30 të mëngjesit për në punë, se punoj në hekur, punë e vështirë.  I thosha hajde më shoqëro ti në punë, po nuk vinte asnjëherë. Nuk zgjohej aq shpejt nga gjumi. Me rrogën që marr, paguaja qeranë 70 mijë lekë. Madje edhe ushqimet. U bleva edhe duhan dhe ata më akuzonin kush ishte ai burrë që ma kish dhënë. Besoje që as të brendshme për veten time nuk bleja dot se nuk me dilte rroga.

Punonte burri yt?

Jo, i papunë ishte. As ai, as djali.

Vojsava djali ka shprehur pendesë në polici për aktin që ju ka kryer. Do ta falni?

Nuk fal as atë, as burrin. Kush është ai djalë që ngre dorë e rreh nënën e tij. Si mundet që më turpëroi? Jo as burrin nuk e fal, por kam shumë frikë se kur të dalin do të më vrasin. Tani unë kam vetëm një djalë.

Ju jeni besimtare?

Po kisha më ka ndihmuar jo vetëm shpirtërisht, por edhe materialisht.  Vetëm Zoti më ka shpëtuar nga kthetrat e tyre. Murgeshat më kanë dhënë ndihma me ushqime, madje edhe lekë, sa për një thes miell. Zotin e besoj dhe këtë e dinë të të gjithë. Shkoj në kishë çdo të diel për meshë, se ditët e tjera jam në punë.

Vojsava, kur jeni martuar, ku keni jetuar?

Jam martuar 20 vjet më parë me shkuesi. Për 15 vjet kam jetuar në fshatin Sarri të Mirditës. 5 vjetët e fundit kemi jetuar në Laç, Lezhë e Durrës me qira. Burri ka qënë i papunë, unë kam punuar.

A keni një apel?

Dua vetëm të më lënë të jetoj me djalin e vogël. Nuk dua shumë nga jeta, vetëm që ata të dy të mos më vrasin. E di që po dolën nga burgu të gjallë nuk do të më lënë.