Në karantinë prej tre javësh, por pasditja e së premtes ka qenë e veçantë për banorët e lagjes nr.16 në Durrës.

Muzikë, humor, këngë dhe alegri ishte ajo çfarë shijuan sot qytetarët nga ballkonet e pallateve. Ideja origjinale ishte e poetit durrsak Ardi Omeri.

Emra të njohur të skenës shqiptare dhe durrsake performuan në hapësirat mes pallateve, duke u ofruar banorëve një performancë artistike live që riktheu gëzimin tek ata dhe që u shoqërua gjatë të gjithë kohës me duartrokitje, madje shumë qytetarë nuk nguruan të merrnin vallen në ballkonet apo dritaret e tyre. 

Nuk munguan rastet, kur qytetarët kënduan nga ballkonet e tyre së bashku me këngëtarët e njohur Eranda Libohova dhe Kujtim Prodani, Alma dhe Gugash Rrema, Reshit Gjini, Lorenc Barometa, Kosta Bonshi apo sopranon Julieta Strefi. Binte në sy që në ballkone e dritare kishin dalë qytetarë të moshave të ndryshme, shumë prej të cilëve shpalosnin flamurin kuq e zi apo bënin me duar shqiponjën dykrenare. 

Surprizë ishin për qytetarët durrsak edhe tingujt e violinës së mjeshtrave të familjes së njohur Qerimaj, Enverit dhe djalit të tij Marvinit Qerimaj.

Ndërsa për momentet gazmore të qytetarëve menduan mjeshtrat e humorit Edmond Halili dhe Xhevahir Zeneli. Fonia e koncertit live u mundësua nga Orges Istrefi.

Organizatori i kësaj nisme, Ardi Omeri shprehet se koncerti live, që në ditët në vazhdim do të spostohet edhe në lagje të tjera të qytetit, u mbajt me mbështetjen e kryeministrit Edi Rama, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës,  kryebashkiakut Xhuljen Varfaj, Policisë Bashkiake dhe Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu” Durrës.

Ndalesat e rradhës së koncertit live do të jenë:

Të shtunën, ora 17.00, në lagjen nr.18, në sheshin para pallateve pas stadiumit.

Të dielën, ora 17.00, në lagjen nr.1 tek pallatet e reja, rruga “Taulantia”.

“Ju qëndroni në shtëpi, ne do t’ju sjellim këngë dhe humor poshtë ballkonit tuaj. Së bashku do t’ia dalim. Të gjithë bashkë do ta fitojmë edhe këtë luftë”,- thotë poeti Omeri.

*Fotot u mundësuan nga studio Adi Domi