18/05/2020 - 14:38
Sot nisi hapja e bareve dhe restoranteve pas më shumë se dy muajve që qëndruan të mbyllur për shkak të pandemisë së Covid-19.
Por rihapja vjen me rregulla strikte, duke respektuar distancimin mes tavolinave vetëm në ambientet e hapura, dezinfektimit të vazhdueshëm të ambienteve, sigurimit të masave mbrojtëse për personelin, klientët etj.
Për të mësuar rreth mënyrës se si do të funksionojnë aktiviteti në lokal gjatë kohës së pandemisë dhe masave të marra, na tregon më shumë Arjona Kasemi, administratore e “Semës” në qendër të Durrësit.
“Që në fillim klientët duhet të dezinfektojnë duart me higjienizues që ka mbi 60% alkool. Tavolinat janë vendosur 1 m largësi për klientët që janë në kurriz dhe 2 m largësi me klientët që janë përballë. Kemi vendosur sinjalistikat e nevojshme për mbajtjen e distancave 1,5 m larg nga njëri-tjetri si dhe nga personeli që shërben. Matet temperatura e personelit çdo ditë para se të hyjë në punë dhe nuk lejohet të punojnë nëse janë mbi 37.5 gradë, e nga ana tjetër lajëmrohen instancat përkatëse”, shpjegon Arjona Kasemi.
Hapja e këtyre lokaleve do të jetë vetëm për pjesën e jashtme të tyre, pasi pjesa e brendshme nuk do të lejohet të funksionojë, në të kundërt do të gjobiten.
Ndërsa me respektimin e distancave mes klientëve, ulet ndjeshëm dhe numri i tavolinave dhe karrigeve që do të shërbejnë për klientët. Kasemi pohon se te bar “Sema” nga sot janë vendosur vetëm një e treta e tavolinave që kishin përpara periudhës së pandemisë.
Po ashtu, me zgjatjen e fashës së orarit në zonat e kuqe deri në 21:00, zgjidhet dhe një nga problemet që pronarët e bareve dhe restoranteve ngritën se nuk mund të punonin deri në 17:30 në orarin zyrtar të punës, pasi nuk do të kishin mjaftueshëm klientë. Por pavarësisht kësaj, edhe në zonat e kuqe kërkesat janë për eliminimin e fashës kufizuese njësoj si në zonat e gjelbra.
S.L.
/portali DurresLajm/