Kjo e diel me kushte të favorshme të motit, gjeti disa nga durrsakët në plazh, duke shijuar detin e diellin.

Zyrtarisht nga dita e djeshme (6 qershor) plazhet do jenë të hapura për të gjithë, ndërsa prej datës 1 ishin të lejuara vetëm për hotelet.

Por pavarësisht se ka qenë i ndaluar me rregullore të qeverisë sipas protokollit të masave kundër Covid-19, në ditët e nxehta, durrsakët nuk i kanë rezistuar plazhit dhe një pjesë prej tyrre e ka shijuar që në muajin mars.

Megjithatë, pavarësisht se sot është dhe ditë pushimi, vihet re një numër jo i madh pushuesish në Currila, në një nga zonat më të preferuara të durrsakëve për të bërë plazh.

Ky sezon turistik do t’i gjejë plazhet sipas zonave të miratuara, të përcaktuara me autorizime të posaçme nga një Autoritet i Përkohshëm që është ngritur për këtë periudhë dhe do të administrojë lejet për vendosje të pajisjeve të plazhit nëpërmjet një aplikimi online dhe një protokolli të veçante për të siguruar ruajtjen e distancave dhe kushtet higjeno-sanitare në plazhe.

Në lidhje me stacionet e plazhit, prioritare do të jenë subjektet që disponojnë një strukturë akomoduese që ndodhet në vijën e parë bregdetare dhe do të marrë hapësirën e plazhit para saj.

Më pas, vijnë subjektet që duhet të disponojnë një strukturë akomoduese në afërsi të vijës bregdetare dhe në fund ato që do të marrin një stacion plazhi janë ato restorante që kanë një kapacitet shërbimi mbi 20 tavolina dhe që kanë hapësirë plazhi para strukturës.