Afro 29 mijë udhëtarë me 6,113 autovetura janë larguar me tragete nga porti i Durrësit gjatë 8 ditëve të para të muajit shtator, por numri ditor i tyre këto ditë është më i ulët.

Ndërkaq, në Durrës kanë mbërritur me targete nga Bari, Ankona dhe Trieste afro 8 mijë udhëtarë të tjerë. Nga të dhënat operative ditore në APD, mësohet se të dielën e kaluar tragetet në dalje nga Durrësi janë shfrytëzuar nga 2,121 udhëtarë, një numër tre herë më i vogël se të dielën e parë të shtatorit, kur lundruan me tragete 6,072 dhe 1,372 autovetura gjithsej. 

Tragetet e linjave Durrës – Bari dhe Durrës – Ankona janë nisur në kohë, falë bashkërendimit të punës së Autoritetit Portual me institucionet e Policisë së Kufirit dhe Migracionit si dhe Doganën e Durrësit. 

Vetëm gjatë muajit gusht, në pikun e fluksit të lëvizjes së turistëve të huaj si dhe të bashkatdhetarëve që kaluan pushimet pranë familjeve të tyre, porti i Durrësit u shfrytëzua nga 280 mijë udhëtarë me tragete.