Një përfaqësi e APD, e drejtuar nga drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, Afrim Bakaj, morri pjesë këto ditë në “Forumin e Menaxhimit të Portit dhe Terminalit”, që u organizua në Hamburg nga TMB Evolution Group.

Drejtori Bakaj zhvilloi gjithashtu disa takime të rëndësishme bashkëpunimi me drejtues dhe me ekspertë të porteve të ndryshme.

Konferenca e Hamburgut që u drejtua nga Kreu i Strategjisë së Autoritetit të Portit të Hamburgut, Bjoern Pistol i zhvilloi punimet më 7-8 qershor dhe në axhendën e saj u trajtuan disa tema si:

Tranzicioni i energjisë: Nga biznesi i vjetër i naftës tek modelet e rinj të biznesit; shfrytëzimi i hapësiraveboshe: A është riciklimi i anijeve një mundësi? Portet e gjelbër dhe të zgjuar të së ardhmes; strategjia e menaxhimit të Terminalit; etj.

Gjatë ditëve të konferencës,  Bakaj zhvilloi takime mbi logjistikën dhe menaxhimin portual me presidentin e portit Esbjerg (Danimarkë) Jesper Bank, me Bjoern Pistol, etj.

Në një takim tjetër mes drejtuesve të APD dhe HPC ( Konsulenca e Portit të Hamburgut), u diskutua mbi aktivitetin e HPC dhe mbi të ardhmen e portit të Durrësit. Pas takimit të pranishmit vizituan Terminalin e kontejnerëve në portin e Hamburgut, duke u ndalur veçanërisht në shasitë e kontejnerëve automatikë të vetëkomanduar.

Në takimet e tij të konsulencës me Dr. Ing Felix Kasiske dhe Ing Joerg Geerke (HPC) Bakaj u interesua për sigurimin e financimeve për zgjerimin e sipërfaqes së kalatave si dhe për procedurën e tenderimit për thellimin e portit.