Pesë anije tregtare me rreth 14 mijë tonë mallra të ndryshme po përpunohen sot në portin e Durrësit. Ndërkaq, mësohet se dy tragetet e linjës Bari–Durrës janë akostuar në Terminalin e Trageteve rreth orës 8.00 të mëngjesit të sotëm.

Nga të dhënat e Qendrës së Informacionit në Autoritetin Portual, bëhet e ditur se në Terminalin Perëndimor po përpunohen anijet “NS Helse” dhe “Eseniya”, që kanë sjellë rreth 6,700 ton xhama gjithsej, si dhe anijet “Frojdi II” dhe “Ak Denisa” që po shkarkojnë bërsi soje dhe melaminë.

Në molin 10 po ngarkohen 1,956 tonë makineri në anijen “HC Melina”. Ndërkaq, në radën portuale ka mbërritur anija “Pacific Dalian” me konteinerë.

Nga Qendra e e Informacionit, mësohet gjithashtu se në portin e Durrësit priten edhe gjashtë anije të tjera, nga ku do të shkarkohen rreth 16,200 tonë mallra gjithsej, si gurë mermeri, xhama, çimento, grurë dhe hekur, ndërsa në një prej anijeve do të ngarkohen 5,300 tonë çimento me paleta për eksport.

Ndërkohë, në lidhje me masat shtesë të marra për parandalimin e përhapjes së  COVID-19:

Në zbatim të Urdhërit të Ministrisë së Infrastrukturës nr.109, datë 09.03.2020, Drejtoria e Përgjithshme Detare sqaron  se është pezulluar lëvizja  e pasagjerëve me mjetet e transportit detar nga të gjitha Portet drejt Italisë së Veriut, deri në një njoftim të dytë, konkretisht ndalohet lëvizja e pasagjerëve me mjetet e transportit detar me linjën Durrës-Ankona-Durrës dhe Durrës-Tireste-Durrës.

Linja Durrës-Ankona-Durrës do të vazhdojë për lëvizjen e mallrave. Ekuipazhet do t’i nënshtrohen kontrollit të rreptë mjekësor dhe regjimit të lëvizjeve të kufizuara.

Autoriteti Portual Durrës dhe Drejtoria e Përgjithshme Detare bashkërendojnë çdo masë të re me Task Forcën e Ministrisë së Shëndetësisë dhe janë në gatishmëri për menaxhimin e situatës.

Për çdo rast të shfaqjes së shenjave të infeksionit respirator, si temperaturë, kollë, vështirësi në frymëmarrje, sidomos për personat që kanë histori udhëtimi me vendet e prekura apo kanë pasur kontakt me ta, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Social u lutet qytetarëve të lidhen me Urgjencën Kombëtare në nr. 127!

Ndërsa, për çdo paqartësi që lidhet më procesin portual, kontaktoni nëpërmjet LINJËS SË GJELBËR, 08007374.