Drejtori i Autoritetit Portual Durrës, Agron Tare, ka dhënë dorëheqjen.

Me anë të një reagimi zyrtar në faqen e “Facebook”-ut, Tare thotë se ka shërbyer me devotshmëri, dhe dorëhiqet për të vijuar rrugëtimin profesional.

“Që prej marrjes së detyrës si Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, kam shërbyer më devotshmëri dhe pasion për punën, gjë që e tregojnë rezultatet e deritanishme financiare të këtij institucioni. Dorëhiqem për të vijuar rrugëtimin tim profesional dhe duke i uruar pasardhësit/es tim/e suksese! Nuk mund të lë pa falënderuar ata që më besuan këtë pozicion të rëndësishëm, ekipin e APD-së, bashkëpunëtorë të mi, të afërt e të largët! Ciao a tutti, belli e brutti!”, shkruan Agron Tare.

Tare e mori detyrën e kreut të APD-së në janar të këtij viti. Kujtojmë se drejtuesit e Portit janë ndërruar shpesh përgjatë viteve të fundit.