Ndonëse prej ditësh transporti i udhëtarëve nga porti i Durrësit drejt Italisë apo e kundërta, është ndaluar, transporti i mallrave vijon ende.

Mësohet se këtë të enjte në portin e Durrësit janë ankoruar dy tragete me produkte ushqimore.

Bëhet fjalë për tragetet AF Marina me 95 kamiona, 76 shofera si dhe FB Bari me 45 kamiona 37 shofera.

Në këto ditë të vështira që kalon vendi ynë, puna në portin e Durrësit vijon normalisht sa i përket përpunimit të anijeve tregtare për të përballuar nevojat e tregut vendas.

Këtë fillim jave, pesë anije tregtare janë në proces ngarkim-shkarkimi. Katër prej tyre po shkarkojnë grurë, kontejnerë me mallra të ndryshme, ure, si dhe hekur për sektorin e ndërtimit, ndërsa po ngarkohen për eksport 4100 tonë çimento, prodhim vendi.

Në pritje, gjatë ditëve në vazhdim, janë 4 anije të tjera që do sjellin mbi 5000 tonë grurë nga Rusia, 6400 tonë kripë nga Egjipti dhe skrap nga Libia.