Gjatë javës së fundit në portin e Durrësit kanë mbërritur me tragete 21,163 udhëtarë me 4,939 autovetura gjithsej. Ndërsa pritet që ky numër të rritet edhe më tej gjatë kësaj fundjave.

Festat e fundvitit po sjellin në Durrës mijëra bashkëatdhëtarë, të cilët do të festojnë pranë familjeve në qytete të ndryshme të vendit tonë, në Kosovë dhe në Maqedoni.

Nga të dhënat statistikore të Autoritetit Portual mësohet se ditët e fundit numri i udhëtarëve me tragete është 3-4-fishuar në krahasim me ditët normale.

Çdo ditë në port akostohen 3-4 tragete nga Bari, Ankona dhe Trieste. Që nga fillimi i muajit dhjetor, tragetet janë shfrytëzuar nga 52,400 udhëtarë me rreth 16,300 autovetura, kamionë dhe trailerë gjithsej.