Veprimtaria përpunuese në Portin më të madh në vend ka vijuar pa ndërprerë e fokusuar në transportin e mallrave me anije dhe tragete. Referuar të dhënave statistikore të APD-së, në të tre Terminalet e portit të Durrësit gjatë muajit mars 2020, janë përpunuar 41 anije me mallra import-eksporti.

Përpunimi i anijeve në kushtet e pandemisë së Covid-19, është kryer në masa të rrepta sigurie shëndetsore, të mbikqyrura nga Autoriteti Portual në bashkëpunim me kompanitë stivadore.

Mësohet se numri më i madh i anijeve, gjithsej 27, është përpunuar në Terminalin e Mallrave Gjenerale, i njohur ndryshe si Terminali Perëndimor. Në këtë Terminal janë përpunuar mbi 83 mijë tonë mallra gjithsej, si grurë, xhama, melaminë, hekur, plehra bujqësore, mallra ushqimore, etj. Kjo është një sasi rreth 3,300 tonë më e lartë se sa ajo e marsit 2019.

Ndërkaq në Terminalin e Konteinerëve kanë mbërritur 7 anije dhe janë përpunuar 6,409 konteinerë TEU, në hyrje dhe dalje nga vendi ynë.
Në Terminalin Lindor sasia e mallrave të përpunuar gjatë muajit që sapo u mbyll arrin në 25 mijë tonë, nga 7 anije gjithsej.