Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës Belinda Balluku, inspektoi sot nga afër punimet e Portit të Durrësit, për të cilin u shpreh se do të shndërrohet për t’u kthyer në një port tërësisht turistik, duke zgjidhur përfundimisht edhe problemin mjedisor të portit ekzistues në zemër të qytetit

Ministrja shpalosi vizionin e saj për qytetin bregdetar ndërsa u shpreh se synohet kthimi i Portit të Durrësit në një Hotspot në Ballkan dhe Mesdhe dhe përafrim tjetër ndërkombëtar të këtij qyteti.

“Porti i ri i Durrësit do të ketë një Zonë të Lirë Ekonomike, e cila ndodhet në Spitallë. Ne kemi lenë një pjesë të kësaj zone në dispozicion për Zonën e Lirë Ekonomike, para shumë vitesh të dizejnuar, që do të lidhet me një linjë treni midis portit, kalatave të portit dhe kësaj zone. Kështu që Durrësi do të përfitojë dhe Shqipëria bashkë me Durrësin, dhe rajoni bashkë me Shqipërinë do të përfitojnë një port ndërkombëtar por tashmë të përmasave dhe parametrave teknikë modernë”, u shpreh ministrja.

Dy projekte që zgjerojnë kapacitetet portuale, duke kthyer portin e ri të mallrave në Durrës në një pikë të rëndësishme në rajon e më gjerë me standarte europiane, si edhe portin turistik në një destinacion mesdhetar përmes një investimi masiv që ta transformojë ekonomikisht qytetin falë marrëveshjes me Emiratet e Bashkuara.