Reshjet e shiut që kanë nisur sot paradite kanë detyruar ndërprerjen e përpunimit të anijeve në portin e Durrësit. Ndërkaq dy tragetet e linjës Bari – Durrës janë ankoruar rreth orës 8.00 në Terminalin përkatës pa shënuar vonesa.

Sipas Qendrës së Informacionit në APD, katër anije tregtare të ngarkuara me grurë, ure’ dhe çimento, të cilat janë ankoruar në kalatat 1, 2 dhe 5 kanë ndërprerë përpunimin rreth orës 9.00 për shkak të reshjeve të dendura të shiut. Në radën portuale presin radhën e përpunimit edhe dy anije të tjera të ngarkuara me kripë dhe xhama.

Sipas parashikimeve të "MeteoAlb", reshjet e shiut do të vazhdojnë me ndërprerje të shkurtra gjatë gjithë ditës.

Ndërkaq në brigjet detare pritet erë me shpejtësi 50-55 km/h nga drejtimi verilindor duke krijuar në det dallgëzim 4-5 ballë.