“Kanë kaluar më shumë se 25 vite nga momenti kur mijëra shqiptarë mbërritën për herë të parë në Bari si refugjatë. Që nga ajo kohë është vendosur një raport i ndërsjellë në rrugë detare, por që në portin e Barit asgjë s’ka ndryshuar, ndërsa porti i Durrësit është sot porta hyrëse e Evropës Juglindore, përpunon në vit miliona pasagjerë. Në portin e Barit, në muajin gusht pasagjerët kanë pritur deri në 24 orë për t’u imbarkuar”.

Kështu është shprehur kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë takimit me gazetarët puliezë, që po vizitojnë strukturat portuale dhe aeroportuale në Durrës dhe Tiranë.

Vonesat në portin e Barit po shkaktojnë shqetësim dhe pakënaqësi tek operatorët turistikë dhe agjensitë e lundrimit dhe po ndiqen me vëmendje edhe nga politika shqiptare.

Siç raportojnë mediet italiane, porti i Durrësit ka garantuar standarte të larta kontrolli dhe njëkohësisht shpejtësi në përpunimin e udhëtarëve dhe mallrave. Në periudhën e fluksit, në Durrës funksionojnë 28 sportele: 10 për pasagjerët dhe 10 për automjetet, 2 për autobusët dhe 12 për mjetet e rënda.

Prej kohësh, porti i Durrësit është një pikë tranziti për udhëtarët nga Kosova dhe Maqedonia, të cilët e frekuentojnë në masë të madhe. Por në ndryshim nga porti i Durrësit, në periudhë fluksi, porti i Barit operon me 4 sportele për pasagjerët dhe dy për mjetet dhe kamionët. Mos shtimi i numrit të sporteleve është veçanërisht problematik në muajin gusht, kur përpunohen deri 10 mijë pasagjerë në ditë dhe 4500 automjete.

Një problem tjetër është se dogana e portit të Barit nis punën në orën 08.00, atëherë kur tragetet janë ankoruar në port prej mëse një ore.

“Nuk e di pse dogana tek ju nis punë në orën 08.00,- nënvizoi deputeti Balla,- por duket se në anën tjetër të Adriatikut nuk vlerësohet si duhet potenciali i rritjes së shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve, që duhet të reflektohej me një efiçensë më të madhe në portin e Barit".

“Nëse porti i Durrësit është bërë mjaft efiçent falë investimeve të palës shqiptare, pse nuk ka ndodhur e njëjta gjë me portin e Barit, pavarësisht investimeve të komunitetit evropian?”,- shtroi pyetjen para gazetarëve puliezë deputeti Balla.