Autoriteti Portual Durrës, së bashku me përfaqësues të shtatë qyteteve-port, (Lisbona, Malaga, Zadari, Rijeka, Ravenna, Durrësi dhe Trieste), është partnere e Projektit Locations “Turizmi me Kroçera dhe ndikimet e tij në mjedisin urban”.

Në takimin e radhës që u zhvillua nga 15-18 tetor 2018 në Lisbonë (Portugali) u diskutua mbi rezultatet e deritanishme të këtij projekti, ku aderojnë edhe 20 organizata dhe institucione mes të cilave edhe Instituti i Transportit (Tiranë) dhe Bashkia e Durrësit.

Gjatë takimit 4-ditor të Lisbonës përfaqësuesit u ndalën në Planin LCTP (Low Carbon Transport Plan) dhe në vlerësimin e këtij Plani të paraqitur nga çdo qytet-port.

Partnerët e konsideruan si punimin më të mirë Planin LCTP që u prezantua nga Instituti i Transporteve (Tirane) dhe APD.

Në takimin e Lisbonës u diskutua mbi hapat që do të hidhen në të ardhmen për prezantimin dhe implementimin e këtij plani për palët e interesuara në vendet përkatëse. Projekti Locations ka një kohë-zgjatje 2016-2020.

Tashmë, falë bashkëpunimit me qytete të tjera me të njejtat karakteristika, në kuadër të projektit Locations është përgatitur LCTP (Plani për uljen e nivelit të karbonit në transport) për qytetin e Durrësit. 

Një muaj më parë në Bruksel u zhvillua "Java Europiane e Rajoneve dhe Qyteteve". Gjatë veprimtarisë u paraqitën rezultatet e Konkursit dhe Projekti Locations u vlerësua si një nga projektet më të mira të programit Interreg.