Portet Shqiptare edhe pse në kushte pandemie po punojnë me kapacitet të plotë.

Durrësi punon pa ndalesë me tragete me kamiona dhe me anije mallrash e kontenierë, Vlora me anijet e TAP që po punojnë për përfundimin e projektit të gazsjellësit, ndërsa Shëngjini me anije mallrash dhe karburant e Saranda me furnizime jahtesh me karburant.

Vetëm për datat 1-16 prill 2020 kanë ardhur në portin e Durrësit 6 anije me grurë në total 24.339.962 tonë.

Sot nga anijet tregtare “Olimpia” dhe “Ibrahim Konan”, po shkarkohen 13,200 tonë grurë me destinacion tregun tonë të brendshëm, ndërsa 259 copë konteinerë po përpunohen në kalatën nr.6.

Në vijim përgjatë ditës së sotme dhe të nesërme, pritet të vijnë edhe dy anije me 3146 tonë e 5500 tonë.

Përballë situatës së paparashikuar të pandemisë së virusit, si dhe kufizimeve që ai vendos, falë punonjësve të përkushtuar, APD vijon aktivitetin përpunues në të gjitha terminalet, me të gjitha masat parandaluese kundër virusit COVID-19 .

“Përkushtimi maksimal i punonjësve tanë po mundëson rrjedhën e qetë të ngarkesave në këtë port me rëndësi strategjike, si dhe mirëmbajtjen e marrëdhënieve të biznesit me klientët dhe bashkëpunëtorët tanë”, thuhet në njoftimin e APD-së.