Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i APD,  Agron Tare, u prezantua sot paradite në detyrën e re, me grupin e drejtuesve të Departamenteve dhe Sektorëve në Drejtorinë Ekzekutive të APD.

Zv. ministri i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli, në fjalën e tij pasi vlerësoi punën e paraardhësit Afrim Bakaj, tha se sfidat që presin portin e Durrësit veçanërisht në fushën e investimeve janë të mëdha dhe se ritmet e punës do të jenë më të larta. "Emërimi i Tares në krye të APD synon pikërisht këtë", – tha Shkreli, i cili uroi punë të mbarë drejtorit të sapoemëruar.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i APD, Agron Tare, nënvizoi besimin që i është dhënë nga drejtuesit e qeverisë dhe dikasterit MIE, ndërsa vuri theksin te veprimtaria e përbashkët për ta bërë Durrësin një port konkurues në rajon. Ai kërkoi më shumë impenjim për realizimin e objektivave për të ardhmen. 

Ditën e martë, Këshilli Drejtues i APD vendosi emërimin e Agron Tare në postin e Drejtorit të Përgjithshëm, sipas propozimit të Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë.