Afro 271 mijë udhëtarë kanë preferuar të lundrojnë me tragetet e linjave Durrës – Bari dhe Durrës – Ankona e kthim vetëm gjatë muajit gusht të këtij viti.

Shifra është 2 përqind më e lartë se sa ajo që u raportua para një viti për gushtin e vitit 2017.

Nga Sektori i Statistikave në APD, mësohet se gjatë së njejtës periudhë tragetet kanë transportuar edhe 64.656 autovetura dhe 4.690 kamjonë dhe trajlerë, përkatësisht 5 dhe 9 përqind më shumë se sa gjatë të njejtit muaj të vitit të kaluar.

Gjatë muajit gusht 2018 nga Durrësi drejt porteve të Italisë janë nisur afro 154 mijë udhëtarë, kryesisht bashkëatdhëtarë që kaluan pushimet e verës pranë familjeve në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.

Pjesa tjetër kanë lundruar nga Bari dhe Ankona drejt portit më të madh të vendit.