Ka mbërritur në portin e Durrësit me një jaht super luksoz, një ndër miliarderët botërorë, Lartësia e tij mbretërore Princ Alwaleed bin Talal bin Abdulaim Al-Saud.

Pjesëmarrës në grupin e mikpritësve, ambasadori i vendit tonë në Arabinë Saudite, Sami Shiba tha për APD-në, se anëtari i familjes mbretërore të Arabisë Saudite do të zhvillojë një takim me kryministrin e Shqipërisë Edi Rama.

Princ Alwaleed ka ardhur në portin e Durrësit me jahtin e tij “Kingdom”, i shoqëruar nga jahti tjetër “Moonlight II” për stafin e tij. Jahtet kanë lundruar nga ishulli i Korfuzit (Greqi) drejt Durrësit dhe u ankoruan rreth orës 11.30 në kalatën 4. Jahti “Kingdom” me gjatësi 74 metra ka flamurin e Arabisë Saudite dhe është regjistruar në portin e Jeddahut.

Princi Alwaleed është një ndër investitorët kryesorë në Arabinë Saudite dhe në Rajonin e Lindjes së Mesme, me një pasuri që shkon në rreth 18 miliardë dollarë.