Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka njoftuar se që prej datës 20 janar 2021, ka hyrë në fuqi marrëveshja ndryshuese ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë mbi lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve.

“Tashmë, për të gjithë qytetarët shqiptarë që udhëtojnë drejt Serbisë do të cilësohen si të vlefshme këto dokumente: pasaportë, pasaportë diplomatike, pasaportë shërbimi, një dokument udhëtimi për hyrje (kthim) në Republikën e Shqipërisë, kartë identiteti biometrike. Ndërsa për shtetasit serbë që do të kalojnë kufirin shqiptar do të cilësohen të vlefshme këto dokumente: pasaportë, pasaportë diplomatike, pasaportë shërbimi, leje kalimi, kartë identiteti biometrike”, thuhet në njoftimin e lëshuar për mediat.

Serbia bëhet kështu vendi i pestë ku qytetarët shqiptarë mund të lëvizin lirshëm vetëm duke paraqitur një kartë identiteti biometrike. Shqiptarët mund të lëvizin lirshëm edhe në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Bosnje Hercegovinë.