Banorët e pallatit 1035, në lagjen nr. 9 të qytetit të Durrësit, janë njoftuar për lirimin e banesave, pasi pallati i tyre do të shembet. Njoftimi i ka lënë pa fjalë banorët, pasi pallati i tyre nuk ka dëmtime të rënda nga tërmeti i 26 nëntorit dhe 18 familjet kanë vijuar të jetojnë aty që nga dita e lëkundjes sizmike.

Banorët shprehin indinjaten e tyre se si përgjatë 8 muajve nuk ka shkuar askush t’u shohë banesat apo gjendjen e pallatit, ndërsa tani u kërkojnë të largohen nga shtëpitë e tyre.

“Pallati jonë nuk është rrethuar asnjëherë me shirit, ne kemi jetuar këtu përgjatë këtyre muajve. As na kanë sjellë vendim, as na kanë sjellë gjë tjetër. Na thonë vetëm më datë 15 liro shtëpinë”,– thotë një banor i pallatit.

Banorët janë surprizuar kur një javë më parë, kanë parë një grup që i ka bërë foto pallatit, por as ky grup nuk u ka treguar gjë se pallati do të prishej. dhe kanë nxjerrë njoftimin.

Ata madje hedhin akuza se ka grupe interesi që lakmojnë pozicionin e pallatit, i cili ndodhet në një pikë dominuese të qytetit ku dhe çmimi i banesave është i lartë. Qytetarët akuzojnë strukturat e shtetit për korrupsion dhe kërkojnë që të riekspertohet pallati nga specialistët.

“Nëse ky pallat ka rrezikshmëri aq sa duhet të shembet, ne që nga 26 nëntori nuk kemi dalë asnjë ditë nga ky pallat. Ne shkuam takuam edhe kryetaren e bashkisë, e cila na tha se vendimi për shembjen e pallatit është marrë në Këshill Bashkiak më 15 korrik”– thotë njëra nga banoret.

Për të kundërshtuar shembjen e godinës ku banojnë prej shumë vitesh, banorët kanë nënshkruar edhe një peticion,  pasi është marrë vendimi për shembjen pa i vënë ata në dijeni.

“Ne kërkojmë që peticioni jonë të shkojë tek Instituti i Ndërtimit. Që të bëhet një akt-ekspertizë me 18 faqe do të duhej që të paktën specialistët të harxhonin një orë kohë duke inspektuar pallatin, duke marrë mostra, duke hyrë nëpër banesa për të parë dëmet në apartamente. Tek ne askush nuk ka ardhur. Si nuk u vu një shenjë, një shirit. Të na thonin ore njerëz rrezikoni po të qëndroni këtu, prandaj duhet të dilni. Vijnë na njoftojnë vetëm 10 ditë para se duhet të lirojmë shtëpitë. Ku jetojmë kështu?!”,– vijon më tej e indinjuar banorja.

Për fat të keq, pallati 1035, në lagjen nr.9 rrezikon të pësojë fatin e pallatit nr. 1062 në lagjen nr.7 të qytetit të Durrësit, për shembjen e të cilit votuan edhe dy këshilltarë bashkiakë që banonin aty dhe nuk dinin se po votonin për shembjen e shtëpisë së tyre.

Në Durrës ka shumë pallate shumëkatëshe që janë dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit dhe banorët e tyre kanë dalë në protesta për të kërkuar shembjen e tyre, por ende nuk është i qartë fati që do të kenë godinat. Ndërkohë me pallatin 1035 ndodh “çudia” e radhës, kur edhe pse nuk ka dëmtime nga tërmeti vendoset për shembjen e tij.

Në fund të muajit korrik, bashkia e Durrësit publikoi listën me pallatet që do të shemben gjatë 15 ditëshit të parë të muajit gusht.

Lista e plotë:

Këto janë pallatet që do të prishen gjatë muajit Gusht 2020 në Bashkinë e Durrësit në zbatim të ekspertizave të thelluara të hartuara nga Instituti i Ndërtimit në Tiranë.

3 Gusht – Objekt ekzistues pallat 5 katësh, Rajoni 4, zona kadastrale 8511, rruga “A.Goga” lagjia 18, nr.120

4 Gusht – Objekt ekzistues pallat 5 katësh, Rajoni 4, zona kadastrale 8511, rruga “A.Goga” lagjia 18, nr.130

5 gusht – Objekt ekzistues pallat 5 katësh, Rajoni 4, zona kadastrale 8511, rruga “M.Ulqinaku” lagjia 18, nr.72

7 Gusht – Objekt ekzistues pallat 6 katësh, Rajoni 5, zona kadastrale 8513, rruga “Lura”, lagjia 17, nr.1

10 Gusht – Objekt ekzistues pallat 5 katësh, Rajoni 5, zona kadastrale 8513, rruga “Lura”, lagjia 17, nr.3

11 Gusht – Objekt ekzistues shtesë pallati 5 katësh, Rajoni 5, zona kadastrale 8513, rruga “Lura”, lagjia 17, nr.5

12 Gusht – Objekt ekzistues pallat 6 katësh, Rajoni 5, zona kadastrale 8513, rruga “A.Daklli”, lagjia 17, nr.15

13 Gusht – Objekt ekzistues pallat 6 katësh, Rajoni 5, zona kadastrale 8513, rruga “A.Daklli”, lagjia 17, nr.23

16 Gusht – Objekt ekzistues pallat 6 katësh, Rajoni 2, zona kadastrale 8512, rruga “Milosao”, lagjia 9/2