Humbi familjen nga tërmeti në Durrës, pengu i Ajet Meçes dhe dhoma muze për Esielën (VIDEO)

29/01/2020 - 14:55

Nga Stela LIKMETA

Ajet Meçja nuk e kishte menduar kurrë që mëngjesin e 26 nëntorit, do të përjetonte dhimbjen më të madhe të jetës, kur kthetrat e vdekjes do t’i rrëmbenin 3 nga njerëzit e tij më të shtrenjtë: vajzën Dienën, mbesën e vogël Esielën dhe bashkëshorten, Rozetën.

Pallati 6-katësh pranë Kryqit të Kuq në Durrës ku ata jetonin prej 25 vitesh, u bë një grumbull rrënojash në pak sekonda. Ajeti arriti të dilte shëndoshë e mirë, por Zoti kishte vendosur t’i merrte nga kjo botë 3 vajzat e jetës së tij.

Nga ajo natë e kobshme, kanë kaluar dy muaj të vështirë për të gjithë ata që u dëmtuan nga tërmeti, por si e ka kthyer dhimbjen në forcë për të vazhduar përpara një burrë, që pa me sytë e tij t’i shkatërrohej krejt jeta në pak minuta…

“DurrësLajm” ishte në banesën e re të Ajetit, për të na rrëfyer më shumë rreth asaj nate që asnjë shqiptar nuk do e harrojë lehtë.  

“Ka patur momente që jam ndjerë i dobët, i fortë... Ajo kohë, ajo natë ka mbetur në kujtesë dhe ulërimat e mbesës së vogël kur pallati u shemb, i kam në mendje, e s’do të më ikin sa të jem gjallë. Më është dashur të mësohem me dhimbjen, të kalis veten, të jetoj për to, e të bëj gjithçka për t’i nderuar ato”.

I dërrmuar në shpirt, Ajeti sot ka një peng: përse nuk dolën nga apartamenti që kur ndjenë tërmetin e parë rreth orës 22:00. Por aty, u vulos fati i tyre i zi...  

“Mendova se tërmeti i parë ishte i vështirë, të tjerët fillojnë në zbutje. Por kisha qenë i gabuar. Zoti e kishte vendosur të ndodhte kështu”.

Prekëse është biseda me gjysh Ajetin, teksa na tregon detaje rrëqethëse për mbesën, Esielën, vogëlushen artiste që përloti zemrat e gjithkujt që dëgjoi e mësoi për historinë e saj. Ajo ishte një shpirt e talent i veçantë, pikturat e së cilës qëndrojnë varur në këto mure… Esiela kishte një ëndërr: të bëhej astronaute, një ëndërr që siç thotë gjyshi i saj, i shkoi pranë shumë shpejt…

“Një dhomë në shtëpinë e fshatit ia kam dedikuar Esielës si muze, ku kam fotografuar punimet e saj, dhomën, dedikimet për të ëmën, gjyshen. Ishte një fëmijë i rrallë. E kam shumë të vështirë kur shoh fëmijët e asaj moshe, kur kaloj nga shkolla ku mësonte.

Unë i druhesha se mos trashëgonte sëmundjen e të atit, i cili ka ndërruar jetë nga zemra. I druhesha asaj, kisha filluar ta dërgoj për kontrolle mjekësore, por ndodhi kjo...”

Ajet Meçja, oficer në Policinë e Durrësit, megjithëse i mbytur në dhimbje nga humbja e 3-fishtë, nuk harron të falënderojë të gjithë miqtë, të afërmit, fqinjët, si dhe autoritetet shtetërore, që i ofruan mbështetje maksimale në këto ditë shumë të vështira.

I pikëlluar pafund, por kjo nuk e ndalon këtë njeri me shpirt të fisshëm të mos shqetësohet edhe për të ardhmen  e bashkëqytetarëve të tij, që ajo fatkeqësi që i ra në familje, të mos i ndodhë më askujt…

“Mirë mua më ndodhi, po çfarë duhet të bëjnë të tjerët që mos të përsëritet kjo tragjedi? Që kjo dhimbje që më pushtoi mua, të mos përfshijë të tjerë. Ndërtime vazhdojnë të bëhen, por si do të jetë e ardhmja e Durrësit, e njerëzve që jetojnë në Shqipëri? Kështu do vazhdohet, që në një tërmet njerëzit të ikin kështu?! Për një minutë mua më ikën 3 njerëzit më të dashur. E përse?! Për një cilësi të dobët, ai pallat ku jetoja unë u shemb sikur të ishte epiqendra e tërmetit”.

“Është një traumë shumë e madhe, është e vështirë ta përshkruash e ta përjetosh. Është një dhimbje që nuk ka për të pushuar asnjëherë, ka për të mbaruar kur t’iu shkoj unë pranë...”

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Edhe pasditen e kësaj të shtune, Durrësi ishte tërësisht i boshatisur.

Përmes një postimi në Facebook, mjeku i infektivit, Tritan Kalo u bën thirrje shqiptarëve që të respektojnë këshillat e specialistëve për

Ditën e sotme u mbush plot një javë që një grup sipërmarrësish durrsakë kanë bashkuar forcat për t’u ardhur në ndihmë kategorive më vulne

Izolimi i detyrueshëm i qytetarëve si masë mbrojtëse nga koronavirusi, ka bërë që shumë familje në nevojë në Durrës të përballen me vësht

Numri i personave që kanë humbur jetën në Greqi si pasojë e koronavirusit ka shkuart në 32. Sikurse bëjnë të ditur mediat greke numri i p

Qeveria ka detajuar mënyrën si do ndahen paratë e pagave për të punësuarit në biznesin e vogël.

Drejtoresha e spitalit rajonal të Durrësit, Nadire Jani, ka reaguar menjëherë pas një denoncimi të bërë në rrjete sociale nga ish—deputet

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu përcollën sot në aeroportin e Rinasit, 30 mjekë dhe infermierë të

Ish-deputetja e Durrësit, Fatbardha Kadiu, ka denoncuar përmes një statusi në Facebook faktin se një pacient i prekur nga Covid-19 po mba