Ka ndërruar jetë në moshën 77-vjeçare një nga mësueset më të nderuara të Durrësit dhe ish-kampionja kombëtare e ping pong-ut, Verushe Kurani Myshketa.

Lajmin e bëjnë të ditur për “DurrësLajm” familjarë të të ndjerës, të cilët pohojnë se Verushe Kurani ndërroi jetë për shkaqe natyrore, ndërsa kohët e fundit gjendja e saj shëndetësore ishte rënduar.

Sportisja e njohur në Durrës, lindi më 23 shtator të vitit 1942 në një prej familjeve më të nderuara durrsake. Ajo ishte bashkëshortja e mjeshtrit të merituar të sportit, notarit të nderuar Niko Kurani, si dhe nëna e kampionit të notit, Arben Kurani.

77-vjeçarja ishte një nga mësueset më të nderuara të Durrësit, një zonjë e rrallë me cilësi të shkëlqyera, një qytetare e nderuar, një nënë e bashkëshorte e përkushtuar dhe një shembull qytetarie për brezat në vijim. Ajo fitoi kampionatin kombëtar të ping pong-ut në vitin 1969.