Prej rreth një muaji, në mes të Durrësit, vetëm 100 metra larg bashkisë, mbeturinat urbane derdhen sheshit.

Bëhet fjalë për zonën tek ish-serat, në lagjen nr.3, ku kazanët e mbeturinave u “zhdukën” javë më parë dhe sot e kësaj dite, banorët e kësaj zone vazhdojnë t’i hedhin plehrat në po të njëjtin vend, por në mungesë të kazanëve ato qëndrojnë për orë e orë të tëra në rrugë.

Mbeturinat vazhdojnë të tërhiqen çdo ditë nga punëtorët e Ndërrmarrjes së Pastrim Gjelbërimit, por askush nuk di të thotë se ku kanë përfunduar kazanët dhe pse u hoqën nga aty.

Në vendin e grumbullimit të mbeturinave nuk është vënë ndonjë njoftim që banorët të mos i hedhin më mbeturinat urbane në po të njëjtin vend ku i kanë hedhur për vite me rradhë.

Imazhi që ofrojnë çdo ditë këto mbeturina që dekompozohen në qiell të hapur dhe nën temperaturat përvëluese të kësaj vere, nuk është aspak ajo që duhet të ofrojë qyteti bregdetar këtë sezon turistik.