110 familje janë pajisur me lejet e legalizimit të një pallati në lagjen nr. 2, në qytetin e Durrësit. Ka qenë drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame, i cili i ka dorëzuar lejet e legalizimit dhe u ka kërkuar qytetarët të pranishëm të njoftojnë të afërmit e tyre dhe miqtë, që kanë apartamente pa hipotekë, të ndjekin të njëjtën procedurë për të legalizuar pronën e tyre.

Drejtori Lame, teksa shpërndante leje legalizimet, pyeste qytetarët nëse ndokush u kishte kërkuar lekë për përfitimin e dokumentacionit dhe duke iu referuar me batuta punonjësve të Kadastrës.

Ai felenderoi kryetaren e bashkisë për bashkëpunimin dhe ndihmën në projekt duke prezantuar dhe risitë në teknologjinë e E-Albania në të cilën kishte qytetarë ,të cilët kishin aplikuar për dokumentacion dhe e kishin marrë atë brenda 24 orëve.

“Janë 110 familje që përfitojnë nga ky projekt. Pra mjafton të ndiqen procedurat. Në këtë proces ka qenë i nevojshëm bashkëpunimi me Bashkinë Durrës”,– tha drejtori Lame.

Ndërsa kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako deklaroi se “janë rreth 3000 apartamente që po shqyrtohen për t’u pajisur me dokumentin e pronesisë, pra janë në proces shqyrtimi dhe vlerësimi. Procesi ka filluar dhe do të vazhdojë deri në fund të vitit dhe ndoshta pak më pas, por do të përpiqemi të punojmë në ritmin e duhur”.

Duke iu referuar aplikimit në E-Albania për certifikata dhe dokumente që merren në rrugë elektronike, drejtori i ASHK-së, Artan Lame i ftoi qytetarët të aplikojnë, pasi disa dokumente merren brenda 24 orësh.

Nga ata e tyre, qytetarët që u pajisën me leje legalizimi për apartamentin e tyre u shprehën të lumtur që më në fund, pas 12 vitesh, u pajisën me lejen e legalizimit.