Reforma për thjeshtimin e burokracive në administratë është duke vazhduar. Në Janar janë 20 procedura të tjera që lehtësohen për biznesin në dogana dhe tatime.

Të gjithë tatimpaguesit kanë mundësi që të paguajnë online 13 lloj taksash, duke nisur nga tatimi mbi vlerën e shtuar, tatimi mbi fitimin, të ardhurat personale dhe taksat kombëtare.

Po ashtu online do të jenë edhe një pjesë e autorizimeve doganore si dhe porositja e pullave fiskale për mallrat e akcizës.

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj u ka nisur një letër shoqatave të biznesit ku i kërkon sërish të japin sugjerime se çfarë shërbimesh dhe procedurash të tjera mund të shkurtohen më tej.

Deri tani qeveria u ka hequr bizneseve 13 dokumenta që duhet të dorëzonin në institucionet publike duke shkurtuar 56 vite pritje dhe 600 mijë dokumenta që merren në 1 vit të vetëm.