Universiteti i Tiranës ka përcjellë një mesazh prekës ngushëllimi për ndarjen nga jeta të studentes 22-vjeçare Euxhena Jorgji si pasojë e infektimit me Covid-19.

Në postimin e shpërndarë në rrjetin social shkruhet se Covid-19 i ndërpreu në mes të gjitha ëndrrat e studentes 22-vjeçare. Universiteti i Tiranës i shpreh ngushëllimet të gjithë të afërmve, familjarëve dhe miqve të studentes.

“Sot morëm lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të studentes tonë Euxhena Jorgji. Me përfundimin me rezultate të larta të studimeve Bachelor në degën e Financës pranë Fakultetit të Ekonomisë u regjistrua në Master Shkencor ‘Menaxhim Risku’. Largimi i parakohshëm nga jeta për shkak të Covid-19 i ndërpreu në mes të gjitha ëndrrat e saj.

Universiteti i Tiranës i shpreh ngushëllimet Familjes Jorgji, shokëve dhe shoqeve të saj për këtë humbje të madhe të vajzës dhe mikes së tyre. Rektori i Universitetit të Tiranës. Prof. Dr. Artan Hoxha”, mbyllet mesazhi.

E reja ishte shtruar prej një muaji në spitali Infektiv, por nuk mundi ta fitonte dot betejën me COVID-19. Mësohet se ajo vuante nga një sëmundje e njohur si autoimune lupus.