Në 24 orët e fundit, në Durrës janë regjistruar 26 raste të reja me Covid-19. Ndërkohë, për herë të parë që nga nisja e pandemisë qarku i Durrësit ka arritur shifrën rekord të mbi 800 personave aktivë me Covid-19.

Sipas raportimit ditor të Ministrisë së Shëndetësisë, qarku i Durrësit numëron aktualisht 809 persona aktivë me koronavirus. Prej shumë javësh, qarku jonë renditet i dyti pas Tiranës që regjistron shifrën rekord prej 4302 persona aktivë me Covid-19. 

Po sot, ministria raportoi edhe shifrën më të lartë të vdekjeve të regjistruar deri më tani në vend. Brenda 24 orëve 7 persona humbën betejën me Covid-19;  një infermiere 50-vjeçare nga Elbasani një mjek 64-vjeçar nga Lushnja, një 61-vjeçare, një 62-vjeçar dhe një 76-vjeçar nga Tirana, një 78-vjeçar nga Fieri, një 81-vjeçar nga Mirdita me sëmundje bashkëshoqëruese.

Deri tani, në Shqipëri janë prekur 19729 persona, nga të cilët 8434 janë raste aktive, ndërsa 10808 janë shëruar. Sipas të dhënave të fundit, numri i viktimave në total në vendin tonë është 487.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:

Tiranë 4302
Durrës 809
Fier 551
Shkodër 521
Korçë 506
Lezhë 387
Elbasan 380
Vlorë 338
Berat 238
Kukës 182
Gjirokastër 128
Dibër 92