Më datë 8 qershor, 2600 maturantë në gjimnazet e qytetit të Durrësit do t’i nënshtrohen provimit të parë të Maturës Shtetërore, gjuhës së huaj. Ndërsa rreth 158 të tjerë janë përsëritës nga viti i kaluar.

Për mbarëvajten e procesit janë angazhuar 31 përgjegjës administrimi së bashku me 31 përfaqësues të Zyrës Arsimore.

Ditën e hënë, plot 400 mësues do të angazhohen si administratorë provimesh për Zyrën Vendore Arsimore Durrës në 31 qendrat e provimit.

Drejtoresha e ZVA Durrës, Jonida Matohiti thotë për “DurrësLajm” se janë marrë masat e nevojshme për organizimin e ambienteve të brendshme të shkollave, në sajë të masave anti-covid, duke lejuar në një klasë maksimumi 10 nxënës mes të cilëve do të garantohet distancimi fizik.

Ajo shprehet se përfaqësues të Zyrës arsimore Durrës sot janë në terren për të kryer verifikimet e fundit në 31 ambientet arsimore. Ndërsa pasditen e të dielës këto institucione do të merren në dorëzim nga efektivët e policisë.

Për shkak të pandemisë, masat këtë vit do të jenë edhe më strikte për maturantët, ata duhet të paraqiten në ambientet e shkollës në orën 08:30 të mëngjesit, ku do t’iu matet temperatura dhe do të kryhen procedurat e nevojshme para nisjes së testit në orën 10:00, i cili do të zgjasë dy orë.

“Maturantët të pajisur me maskë dhe doreza, duhet të mbajnë me vete vetëm kartën e ID dhe një stilolaps.”, porosit drejtoresha Matohiti ndërsa sqaron se “në rast se atyre ju gjendet telefon apo kopje do të penalizohen për një vit, duke ju hequr të drejtën e përsëritjes së provimit në vjeshtë.”

Në fund, Matohiti ju uron maturantëve suksese në provime ndërsa i këshillon të hedhin hapa të sigurt drejt dyerve të dijes.

“Të dashur maturantë! Emocionet që me të drejtë pushtojnë çdo qelizë të qënies suaj, janë ndër më të paharrueshmet. Drejt dyerve të dijes, hidhni hapa të sigurtë, e pa më të voglin dyshim jam e bindur që do ja dilni më së miri. Falenderoj të gjithë maturantët për përkushtimin e deritanishëm dhe ju uroj suksese në provimet e maturës 2020, prindërit për praninë e tyre dhe mësuesit për pasionin e tyre të pakushtëzuar ndaj detyrës.”

Këtë vit, krahas zyrtarëve të arsimit dhe policisë, në oborret shkollore do të jetë edhe një mjek, përfaqësues i Shëndetit Publik.

G.D.