Që nga fillimi i këtij viti, numri i jahteve që kanë vizituar Durrësin ka arritur në 378, thuajse i njejti numër me atë të jahteve që mbërritën në Durrës gjatë gjithë vitit 2018. Pjesa më e madhe janë ankoruar në kalatën nr.4, e sistemuar enkas për anijet turistike. 

Vetëm të hënën paradite, në portin e Durrësit u ankoruan tre jahte luksoze me gjatësi nga 50 deri në 74 metra. Dy prej tyre mbërritën nga porti i Splitit, ndërsa i treti nga një port i Greqisë. 

Burime nga Qendra e Informacionit në Autoritetin Portual, bëjnë të ditur se superjahtet “Planet nine”, “Mogambo” dhe “Power play”, me gjatësi përkatësisht 74, 62 dhe 50 metra, janë vendosur në kalatat n.4 dhe nr.5 pranë katër jahteve të tjerë me përmasa të vogla, që mbërritën në portin më të madh të vendit fundjavën e kaluar. 

Mesditën e sotme, kryeministri Edi Rama vizitoi jahtin "Planet nine" të miliarderit britanik Nathaniel Rothschild, pjesëtar i familjes së njohur në arenën europiane e më gjerë. Rama qëndroi rreth 3 orë në shoqërinë e miliarderit dhe personave të tjerë që ndodheshin në bordin e jahtit me vlerë rreth 100 milionë euro.

Përveç shërbimeve portuale, turistët dhe personeli i jahteve kanë vizituar qendrat arkeologjike të qytetit tonë. Koha e qëndrimit të jahteve turistike në kalatat e terminalit perëndimor shkon deri në 10 ditë.