Duke nisur prej mbrëmjes së kësaj të marte, në Durrës do të nisë zëvendësimi i kazanëve të mbeturinave.

Zëvendësimi i tyre do të bëhet kryesisht në orët e vona në mënyrë që të mos krijohet problem në qarkullim.

Drejtori i NSHK Durrës, Shpëtim Hidri tha për “DurrësLajm” se janë 220 kazanë që do të vendosen në zonën A dhe B të qytetit, që nënkupton qendrën dhe rrugët kryesore të Durrësit, si dhe 100 kazanë që do të vendosen në Plazh dhe Shkozet.

Pak kohë më parë Bashkia Durrës zhvilloi tenderin për blerjen e kazanëve të rinj, i cili kapi vlerën e 12.8 milionë lekëve të rinj.

Sa i përket kazanëve ekzistues, ato do të dërgohen për t’u pastruar, dezinfektuar dhe do të vendosen në zona të tjera të qytetit, ndërsa ato që janë dëmtuar rëndë do të përfundojnë për skrap.

Në të gjithë qytetin e Durrësit janë rreth 700 kazanë mbeturinash.