• 4 herë rikonstruksion i bulevardit “Dyrrah” në 7 vite dhe rreth 2 milionë euro të taksapaguesve durrsakë që shpenzohen për të njëjtin aks
  • 80% korrupsion dhe 20% paaftësi e administratës së bashkisë Durrës ka sjellë si pasojë abuzimin me fondet publike
  • Mungesa e planit zhvillimor të qytetit ka lënë shteg për investime publike abuzive
  • Ngushtohen rrugët, nuk krijohen vendparkime publike, nuk mendohet për hapjen e akseve të reja rrugore kur Durrësi numëron rreth 365 mijë banorë bashkë me rrethinat

Duke parë se shtrimi i bulevardit kryesor të Durrësit në gusht të 2019-ës është bërë në të njëjtën formë si edhe në vitet 2012, 2013 dhe 2016, askush nuk mund të garantojë se rikonstruksioni i tanishëm i tij nuk mund të rezistojë më shumë se një vit. Rikonstruksioni i këtij aksi, që u bë në mes të sezonit veror, tashmë ka përfunduar dhe automjetet kanë nisur të qarkullojnë normalisht në të. Po ndërsa rikosntruksioni i rradhës ka përfunduar, pyetja që shqetëson çdo qytetar durrsak është: Pse duhet të shtrohet në të njëjtën formë kur prishet brenda vitit?!

Urbanisti i njohur durrsak, Ardian Muka, ka një përgjigje. Ai gishtin e drejton nga ish-kryebashkiaku Vangjush Dako dhe administrata e tij.

“Në vitin 2011, kur isha anëtar i Këshillit të Mbrojtjes së Territorit, unë pata parashtruar para kryebashkiakut Dako kundërshtitë e mia me këtë projekt. Madje lidha edhe një bast me të. Bastin unë e fitova, por ajo që më dhemb është se me 4 rikonstruksionet e sheshit, ata që kanë humbur janë qytetarët durrsakë, pasi janë investuar rreth 2 milionë euro. Problematikat kanë lidhje me materialet. Guri që përdoret është shtresor. Me diferencat e temperaturave, ai ka tendencë të cifloset, të shkëputet. Ka probleme edhe me mënyrën se si është shtruar. Meqë përdoret llaçi, ai ka tendencën të prishet nga lëvizjet e mjeteve dhe ndryshimi i temperaturave, shirat etj. Ky bulevard duhej të shtrohej me teknika të tjera, që përdoren në të gjithë botën. Edhe ish-kryetari Dako i dinte, edhe stafi teknik i dinte. Vazhduan po me të njëjtën mënyrë për të realizuar atë që për mua është korrupsion i pastër, për t’iu kthyer e rikthyer disa herë të njëjtit investim publik”, thotë Muka në një intervistë për DurrësLajm.

Urbanisti Muka thekson se një nga shkaqet se pse në Durrës në 10 vitet e fundit janë shpenzuar disa herë miliona lekë në po të njëjtat vepra publike është mungesa e një plani zhvillimor të qytetit.

“Nga viti 2015 kemi çelur fondin për planin zhvillimor të qytetit, por tani në vitin 2019 nuk e kemi ende këtë plan. E gjithë kjo është bërë për motive të pastra korruptive, pasi duke mos pasur planin urban të qytetit jemi në këtë gjendje që jemi sot. Ngushtojmë rrugë pa menduar për krijimin e vendparkimeve publike. Ngushtojmë rrugën “Pavarësia” në plazh, pa ndërtuar deri në fund rrugën paralele, e cila ka mbetur e ndërtuar përgjysmë. Durrësi ka tani rreth 365 mijë banorë bashkë me rrethinat, por nuk është menduar për hapjen e akseve të reja rrugore”,- thotë Ardian Muka.

Sipas urbanistit Muka, investimet problematike publike në Durrës kanë ardhur si pasojë e korrupsionit dhe paaftësisë së administratës së Dako :“80% korrupsion dhe 20% paaftësi e administratës ka sjellë si pasojë abuzimin me fondet publike”.

Si ish-këshilltar bashkiak, Muka ka një opinion të tijin edhe për qeverisjen e Durrësit për 4 vitet e ardhshme.

“E majta e ka qeverisur Durrësin për 19 vite, uroj mos ta qeverisë edhe për 4 vite të tjera. Për mua zgjedhjet janë më 13 tetor, data e përcaktuar me dekret presidencial. Kjo kryetare dhe ky këshill janë abuziv. Për 4 vitet e ardhshme ata nuk do të kenë projekte të tjera për qytetin. Ata do të ecin në gjurmët e këtyre 19 viteve, me po të njëjtin mentalitet për fatin tonë të keq”,- thotë Muka.

I përfolur si kandidat për bashkinë e Durrësit nëse PD do të përfshihet në zgjedhje, Muka deklaron se është shpresëplotë se muajt shtator dhe tetor  do të sjellin të reja në politikën shqiptare, me përfshirjen edhe të BE-së dhe SHBA-së në krizën politike në Shqipëri.

M.B.