Bashkia e Durrësit nuk ka fonde për të menaxhuar mbetjet urbane. Kjo bashki zgjidhjen e pret nga qeveria, pasi ka shpallur gjendjen e emergjencës prej muajit korrik për të katër fushat e grumbullimit të këtyre mbetjeve në rang bashkie. Është ky reagimi zyrtar i specialistëve të mjedisit, pas shqetësimit që ngrihet çdo ditë nga qytetarët durrsakë.

Rudina Trikshiqi, specialiste në institucionin e qeverisjes vendore për mbrojtjen e mjedisit tha se “bashkia e Durrësit prej muajit korrik e shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për menaxhimin e mbetjeve urbane, të cilat digjen në qiell të hapur dhe janë burimi kryesor i ndotjes mjedisore në qytetin e Durrësit, por komiteti i menaxhimit të mbetjeve urbane ende nuk e ka thënë fjalën e tij, pavarësisht se problematika u evidentua nga kryeministri Edi Rama”.   

Kreu i ekzekutivit e vizitoi vetë fushën e mbetjeve urbane në Porto Romano ku qindra ton plehra digjen në fushë të hapur çdo ditë. Rama premtoi ndërtimin e një parku të gjelbëruar, por situata është po njësoj edhe tre muaj pas vizitës së shefit të qeverisë, ndërsa bashkia nuk ka fonde për të bërë asgjë në këtë drejtim.

Banorët e Porto Romanos, por edhe studentët e pedagogët e kampusit universitar “Aleksandër Moisiu” që gjenden shumë pranë fushës, kanë protestuar pa fund vitet e fundit, me shpresën që qeveria dhe pushteti vendor të gjejnë një zgjidhje të shpejtë dhe konkrete për këtë problematike mjaft serioze dhe që lidhet drejtpërdrejt me shëndetin e qytetarëve. 

Në një sipërfaqje prej më shmë se 40 hektarësh janë grumbulluar qindra e mijëra ton mbetje urbane, të cilat digjen e dekompozohen në qiell të hapur, 7 km larg në vijë ajrore nga qendra e Durrësit, duke u kthyer në burimin më të madh të ndotjes mjedisore për qytetin bregdetar.

K.H.