462 qytetarë të Durrësit janë refuzuar për të përfituar dëmshpërblimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti, megjithëse kanë aplikuar në programin e Rindërtimit “Shtëpia ime”.

Gjatë mbledhjes së ditës së premte të Këshillit Bashkiak, administrata e bashkisë u pyet nga njëri prej këshilltarëve për arsyet e këtij refuzimi.

Nënkryetari i bashkisë, Florian Tahiri deklaroi se refuzimi është bërë duke u bazuar në aktin normativ të nxjerrë nga qeveria Rama, që nënvizon se “nuk është subjekt përfitues individi apo familja që ka në pronësi apo posedim të ligjshëm më shumë se një banesë, në njësinë e qeverisjes vendore, ku është shpallur gjendja e Fatkeqësisë Natyrore, pavarësisht nëse banesa që është dëmtuar ka qenë vendbanim i zakonshëm”.

Në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak u miratua lista paraprake e personave që do të përfitojnë dëmshpërblimin për banesat e dëmtuara në nivelin DS1, DS2 dhe DS3.

Ishin gjithsej 8782 përfitues të dëmshpërblimit, ndërsa që 462 aplikime të tjera janë refuzuar.

Pavarësisht skualifikimit, nënkryetari Tahiri deklaroi në mbledhje se këta qytetarë kanë mundësi që brenda një afati 7 ditor të bëjnë ankesë, e cila do të merret edhe njëherë në shqyrtim nga stafi i bashkisë.

M.B.