48 orë nga marrja e tamponëve të punonjësve të ISHSH Durrës dhe AKU Durrës, ende nuk kanë ardhur përgjigjet. Shkak duket se është bërë fluksi i tamponëve të marrë në shkallë vendi (dje u regjistrua ditë rekord përsa i përket rasteve të reja), por edhe kaosi që ekziston në qytetin bregdetar. Të gjithë punonjësit e zyrës së Epidemiologjisë janë të karantinuar prej disa ditësh, pas rasteve pozitive mes personelit dhe drejtuesve.

Ndërkohë, punonjësit, që u është bërë tamponi të enjten dhe të premten, janë në ankth deri në pritjen e përgjigjes. “DurrësLajm” mëson se janë bërë 12 tamponë, 5 të enjten dhe 7 të premten, por përgjigjet nuk kanë ardhur ende.

Që nga rasti i parë pozitiv në laboratorin e analizave pranë NJVKSH Durrës, më shumë se një javë më parë, të tjerë punonjës të këtij laboratori por edhe të ISHSH-së kanë rezultuar të prekur nga Covid-19.

Karantinimi i një pjese të konsiderueshme të stafit të këtyre institucioneve ka sjellë anomali në bërjen e tamponëve, personave të tjerë që dyshohet se mund të jenë prekur.