Vijon “ngërçi” për çëshjen e 613 kg kokainë të sekuestruar në qytetin e Durrësit.

Gjykata e Krimeve të Rënda për herë të dytë nuk ka mundur që ta hapë procesin për Arbër Cekajn, Donaldo Lushaj dhe Armando Pezakun, të tre të arrestuar për 613 kg kokainë.

Kësaj herë shkak për mosçeljen e procesin ishte fakti që avokati i Arbër Çekajt, Maks Haxhiaj nuk ka pasur një prokurë origjinale nga klienti i tij.

Për gazetarin Arsen Rusta, Haxhia tha se gjatë gjykimit do të kishte surpriza sa i përket emrit të pronarit të drogës së kapur.

Një sasi rekord kokaine, plot 613 kilogramë, më e madhja e kapur ndonjëherë në Shqipëri, u zbulua në Portin e Durrësit. Droga me vlerë tregu 180 milionë euro e ardhur nga Kolumbia, ishte e fshehur në një kontenier me fund të dyfishtë që ishte mbushur me banane, dhe kishte destinacion tregun europian.

Lënda narkotike hyri në Shqipëri për llogari të “Arbri Garden” SHPK, një kompani shqiptare që merret me importin e frutave nga Amerika Latine. Ky biznes është në pronësi të Arbër Çekaj personi ky që u shpall në kërkim nga policia. Në pranga ka rënë shoferi i kamionit Armando Pezaku si dhe menaxheri i kompanisë, Donaldo Lushaj. Operacioni u kodua “Last Snow”.