Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka deklaruar sot se Arbër Çekaj që është i akuzuar në Shqipëri për sasinë 613 kg kokainë që u kap në Durrës, nuk do të ekstradohet nga Gjermania. Ai nuk dha shumë detaje për vendimin, por shtoi se është çështje e hetimit mes policive të dy vendeve.

"Ka një ndryshim, nuk është cështje ekstradimi, por hetimi të përbashkët, më tej i takon hetimit", u shpreh Fatmir Xhafaj.

Arbër Çekaj është pronari i kompanisë “Arbri Garden” në kontenierët me banane të së cilës në fund të shkurtit të këtij viti u kapën 613 kg kokainë që vinin nga Kolumbia. Ai ndodhet i arrestuar në Gjermani, ku ka dyshime se po hetohet për një tjetër sasi kokaine që është sekuestruar.

Të arrestuar për sasinë rekord që u kap në Durrës janë vetëm; Armando Pezaku dhe Donaldo Lushaj, ndërsa janë sekuestruar dhe disa llogari bankare dhe dy biznese të reja të hapura nga të afërmit e Arbër Çekajt për të cilat hetuesit dyshonin se do përdoreshin për të tjetërsuar asetet.