Të kërkosh sot një profesionist si murator, hidraulik, marangoz, xhenerik, elektricist, profesione këto të cilat kanë qenë me shumicë në çdo qytet të vendit është shumë e vështirë.

E gjthë armata e punëtorëve është larguar jashtë vendit, drejt Malit të Zi e deri në Gjermani, ku paguhen si profesionistë e ku të ardhurat që marrin ju japin siguri dhe garanci për familjet e tyre.

Shqiptarët po largohen nga vendi, për t'u punësuar në Europë. Mosha vitale e popullsisë ka gjetur të vetmen mundësi punësimi jashtë, për aq kohë sa biznesi në vend nuk ofron vende pune dhe paga që mund të ofrojnë siguri në këtë vend.

Papunësia mbetet e lartë ndërsa pjesa më e madhe e personave të papunë që kryejnë kurset profesionale të hapura nga ministria e linjës shërbejnë si trampolinë për t'u punësuar jashtë vendit.

Nga të dhënat zyrtare të Drejtorisë Rajonale të Punësimit në Durrës, 6900 persona rezultojnë të papunë në Durrës, të rregjistruar, përkundrejt ofertës prej 330 vendeve të lira që ka ofruar biznesi për punësim në qytet.

Në mbyllje të 10 mujorit të vitit 2019, Indrit Buka, Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Punësimit në Durrës, bëri një analizë të plotë situatës së punësimit, në qarkun Durrës.

Ndihma sociale për të papunët ka ardhur gjithmonë e në rënie nga ana e qeverisë e cila për vitin 2019 e ka ulur në minimumin historik pagesën e ndihmës ekonomike dhe sociale për shtresat në nevojë.

Nga 6900 persona të papunë me ndihmë ekonomike financohen 402 persona, numër ky i papërfillshëm.

Ndërsa biznesi kërkon fuqi punëtore kjo e fundit mungon për t'u punësuar. Prej inxhinierëve, ekonomistëve e deri te picajolët e kamarierët ofrohen si vende pune të lira, por që mungon fuqia punëtore.

Mungesën e fuqisë punëtore më së shumti e vuajnë industria e fasonerisë dhe fabrikat  që operonë në Durrës. Në këtë industri kërkohet fuqi punëtore, madje ka kompani që duan mbi 100 punëtorë e lart. Fasoneria jo që nuk bën përzgjedhje por fuqinë punëtore e trajnon vetë.

K.H.